Gjirokastër

Finalizohet pas 3 muajsh hetime, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Rruga e fundit”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

Transportonin me kamion, bagëti të imëta të kontrabanduara, vihen në pranga 2 shtetas. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Vihet në pranga dhe 1 shtetas tjetër (veteriner), pasi nga hetimet dyshohet se ka falsifikuar certifikatën veterinare të transportit të bagëtive të imta.

Sekuestrohen 141 bagëti të imta, 1 kamion dhe 3 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Seksionin Operacional të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në inteligjencën informative, si rezultat i një pune hetimore të ndjekur me metoda proaktive prej 3-muajsh, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rruga e fundit”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

– Petrit Isufi, 53 vjeç, banues në Konispol;
– Rabani Myrtaj., 39 vjeç, banues në fshatin Karjan, Gjirokastër,
– Kliest Nika, 32 vjeç, banues në Sarandë, veteriner.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi J. H., 25 vjeç, banues në Valare, Gjirokastër.

Shtetasi P. I. u arrestua pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Kardhiq-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Viroi”, duke drejtuar automjetin tip kamion, brenda të cilit u gjetën dhe u sekuestruan bagëti të imta të kontrabanduara nga shteti grek, dyshohet në bashkëpunim me shtetasit R. M. dhe J. H.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi K. N., me profesion veteriner, kishte ndihmuar këta shtetas për kontrabandimin, duke falsifikuar certifikatën veterinare të transportit të bagëtive të imëta.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 141 bagëti të imta, kamioni me të cilin po transportoheshin dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb