Policia e Tiranës ka arrestuar një 38-vjeçar, i akuzuar për trafikim të drogave të forta.

Uniformat blu të kryeqytetit lajmërojnë se në pranga ka përfunduar Nadir Lutaj, i cili do i dorëzohet Drejtorisë së Policisë të Fierit.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Vijojnë operacionet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar.

Gjatë operacionit kapet dhe vihet në pranga një 38-vjeçar, i dënuar për trafikim të drogave të forta.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, paraditen e sotme, nga Seksioni i Kërkimit në bashkëpunim me Sektorin e  Forcës Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, në rrugën “Todi Shkurti”, pas informacioneve të marra në rrugë operative, u kap shtetasi Nadir Lutaj, 38 vjeç, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar këtë shtetas me 8 vite burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Në vitin 2013, në pikën e kalimit kufitar Vlorë, brenda një automjeti janë gjetur 8 pako me peshë 4.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, si dhe është shpallur në kërkim pronari i mjetit, Nadir Lutaj.

Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb