Në prag të sfidës vendimtare ndaj Vllaznisë, tek Elbasani atmosfera duket pozitive dhe stafi teknik ka marrë lajme të mira nga grupi. Verdheblutë pritet të zbresin në fushë me organikë të plotë, pasi nuk raportohen mungesa për shkak dëmtimesh apo pezullimesh.
Pas suksesit të rëndësishëm ndaj Dinamos, skuadra ka rikuperuar edhe në aspektin moral, ndërsa gjatë seancave të fundit është vënë re një klimë optimizmi dhe përqendrimi maksimal për ndeshjen që mund të vendosë fatin e sezonit.
Trajneri pritet të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët kryesorë, çka i jep më shumë alternativa për formacionin titullar. Në kampin verdheblu ekziston bindja se grupi duhet të vazhdojë në të njëjtën linjë si ndaj Dinamos, ndërsa fokusi mbetet vetëm te marrja e tri pikëve ndaj Vllaznisë. Paralelisht, sytë do të jenë edhe nga dueli tjetër mes Egnatias dhe Dinamos, që do të përcaktojë edhe skuadrën kampione të këtij sezoni.
