Ditën e sotme, valës së fjalimeve të ashpra në protestën e 28-të kombëtare përpara godinës së kryeministrisë i është bashkuar edhe aktivisti dhe eksperti i njohur i IT-së, Gent Progni. Nga tribuna e ngritur në bulevard, Progni ka lëshuar akuza të rënda dhe të drejtpërdrejta ndaj njërës prej figurave më të afërta të kryeministrit Edi Rama në menaxhimin e medias dhe propagandës.

Eksperti i teknologjisë ka denoncuar atë që e quajti një lëvizje strategjike të kreut të qeverisë për të ndikuar te rrjetet sociale dhe për të kontrolluar reagimin qytetar online.

Gjatë fjalës së tij përpara mijëra protestuesve të mbledhur në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Gent Progni u ndal specifikisht te rikthimi i Endri Fugës, duke e cilësuar atë si lëvizjen e fundit korruptive të mazhorancës.

“Unë dola sot të flas për blerjen e re të merkatos së korrupsionit që është Endri Fuga. Rama e solli nga larg për të prishur algoritmin, por më besoni se ka bërë gabimin e jetës”, deklaroi Progni i revoltuar përpara turmës.

Më tej, aktivisti i IT-së lëshoi një paralajmërim të prerë ligjor për Fugën, duke bërë me dije se lëvizja qytetare dhe ekspertët disponojnë të dhëna të mjaftueshme për të vënë atë përpara përgjegjësisë penale për aferat e kaluara.

“…se tani që u kthye do e fusim edhe Endri Fugën në burg, se kemi info edhe për korrupsionin e tij!”, përfundoi fjalën e tij eksperti i IT-së mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të shumta të qytetarëve në shesh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb