Siguria e pushuesve në bregdetin shqiptarë u cënua sërish me një ngjarjen tragjike që ndodhi të martën në Potam, ku një vogëlushe 7 vjeçare u përplas për vdekje nga një skaf teksa luante në breg të detit. Pushimet e familjes Avdia të cilët erdhën nga Anglia në Atdhe përfunduan në tragjedi. Ëndrrat e një vogëlusheje vetëm 7 vjeç u ndërprenë në mes nga një veprim i papërgjegjshëm i drejtuesit të skafit, pjesë e uniformes së policisë, Arjan Tase i cili u afrua shumë pranë bregut ku vogëlushja luante dhe e përplasi atë për vdekje. Por a ishte kjo një ngjarje e paralajmëruar? A është kjo një ngjarje e përsëritur kur shkelen me të dyja këmbët rregullat duke kërcënuar seriozisht e duke marre jetët e pushuesve?

Është pikërisht moszbatimi i rregullave të vendosura për stacionet e plazhit që u bë shkak për përsëritjen e kësaj ngjarje duke marrë jetën e një njeriu. Ky vendim u miratua nga qeveria në Mars 2019 me qëllim ruajtjen e sigurisë në plazhe për pushuesit. Kjo VKM në nenin 7 tij ka të përcaktuar qartë se lëvizja e motorëve të ujit apo varkave motorike duhet të bëhet në një distancë prej 300 m nga zona e notimit. Por ky rregull nuk është zbatuar.

Fatkeqësisht edhe pse ka një ligj të posaçëm episodet e tilla fatkeqe janë të përsëritura në Shqipëri. Pushime me këtë fund tragjik pati edhe turisti rus, Denis Kaiumov në 5 gusht të vitit 2016 kur u përplas për vdekje në Livadh te Himarës teksa ndodhej në vendin tonë për të pushuar me familjen. 43-vjeçari Kaiumov hyri në det të notonte, por u gjet i pajetë me të prera të thella nga prerjet ne trup. Për këtë ngjarje asokohe u prangos biznesmeni Fatmir Kuçi, i cili ishte personi qe e transportoi turistin per ne spital ,por nga hetimet u zbulua se ishte ai që e përplasi me skaf turistin rus.

Një vit më vonë në korrik të 2017 një tjetër turiste ruse humbi jetën tragjikisht teksa pushonte në Ksamil. 15 vjeçarja Ksenia Roik nga Shen Peterburgu u gjet e pajete rreth 1 milje larg bregut në plazhin e quajtur tre ishujt në Ksamil. Nga hetimet u zbulua se ishte 31-vjeçari Ermal Fataj që e përplasi me skaf  duke i marre jetën 15-vjeçares ne trupin e së cilës u konstatuan shenja prerje nga helika e mjetit.

Këtë vit më herët në plazhin e Jalës dy të rinj shpëtuan mrekullisht nga vdekja kur një skaf i përplasi në breg.  Manovrat e motorëve të ujit dhe skafeve që lundrojnë shumë pranë brigjeve është kthyer në diçka të zakonshme në bregdetin shqiptar. Asnjë nga ngjarjet që përmendëm nuk është bërë shkak për ashpërsimin e masave e që ato të mos përsëriteshin.

Vdekja tragjike e Jonadës jo vetëm që tronditi gjithë opinionin e la dhimbje të madhe tek të gjithë, por ngjalli frikë të madhe për humbjen e radhës nga papërgjegjshmëria e njerëzve dhe nga indiferenca e shtetit për t’i dhënë fund kësaj shkelje që merr jetë.(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb