Nga: Jeton Selimi*
TIRANE- Prania e Lionel Mesit në “El Clasico” varet nga… Mesi. Ylli argjentinas është aq i rëndësishëm, saqë trajneri i Barcelonës, Luis Enrike, do ta presë deri në momentin e fundit: “Nuk e kam planifikuar ende formacionin. Do të flas me Mesin të shtunën (sot) në mëngjes dhe do të vendosim në orët para ndeshjes”. Vendimi do të merret nga vetë argjentinasi: “Ka nisur stërvitjen me grupin dhe është mirë. Nuk është në formë të plotë, sepse ka kohë që nuk luan, por prania e tij është thelbësore dhe nëse do të ndihet gati, do të luajë”. Luis Enrike është i qetë, edhe pse e vlerëson Realin: “Kemi përballë një rival shumë cilësor, që mund të fitojë ndaj nesh. Megjithatë, e bëj gjumin të qetë, jemi të parët dhe zbresim në fushë si gjithnjë, për fitore”.

Ndërkohë, trajneri i Realit, Benitez, ka shansin më të mirë të përmirësojë statistikat e tij kundër Barcelonës, pasi në përballjet e fundit kundër katalanasve ka një ecuri të dobët. Në këtë mënyrë, Benitez si trajner i një ekipi vendas, ka mundur të mundë vetëm një herë “azulgranat” në 5 sfida të zhvilluara. Pikërisht, fitorja e fundit e trajnerit spanjoll ka ardhur në vitin 2002, kur Benitezi drejtonte Valencian. Me golat e Pablo Aimar dhe Fransisko Rufetes, ekipi i Benitezit triumfon kundër Barçës së drejtuar nga Van Gali. Në totalin e përballjeve të tij, trajneri spanjoll ka fituar vetëm 3 herë kundër Barcelonës, duke humbur 6 dhe barazuar vetëm 1. Ky total përfshin ndeshjet e zhvilluara nga skuadrat e Benitezit, si brenda dhe jashtë fushe. “El Clasico” i fundjavës do të jetë një mundësi “e artë” për trajnerin më të ri të Realit, të tregojë se është i aftë të mundë kampionët e Spanjës. Fitorja do t’i jepte moral Realit, i cili së fundmi nga mediat sportive spanjolle cilësohet si një ekip “steril” në sulm. Ditën e premte trajneri i Real Madridit, Rafa Benitez, ka marrë lajme pozitive nga infermieria, pasi të gjithë lojtarët me probleme janë rikuperuar në kohë dhe do të jenë të gatshëm për “El Clasico”-n. Shqetësimi kryesor vinte nga sulmuesi Karim Benzema, i dëmtuar prej javësh, por tashmë forma e tij fizike është optimale. Në këtë mënyrë, Benzema, Bejl dhe Hames Rodrigez kanë punuar me grupin dhe janë në formë të mirë, ndaj dhe Benitezi po mendon se cilin prej tyre të përdorë si titullar. Edhe nga Kejlor Navas dhe Danilo vijnë lajme pozitive, pasi të dy lojtarët do të jenë të gatshëm t’u bashkohen “galaktikave” në sfidën delikate kundër Barçës.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: