Vënia në skenë ose mungesa e dramës shqipe në Teatrin Kombëtar ka qenë dhe mbetet një temë e nxehtë debate, që ka shënuar jo pak herë edhe atërmbetje. Ndërsa e ka shënuar shkëlqimin e vet para viteve 1990 në shfaqje të panumërta teatri, duket se sot drama shqipe është në grahmat e fundit- të avashta, të paqarta dhe gjithnjë e munguar në skenë.

Përtej kësaj, edhe kur ajo vihet në skenë, të pakta kanë qenë herët kur ajo e ka parë skenën me sukses duke marrë duartrokitje dhe vlerësime. A çalojnë, autorët, tematikat apo regjisorët? Pyetjet janë të pafundme, e përgjigjet të copëzuara e aspak shteruese.

Me gjithë nismat, si ‘Netët e Leximit të Dramës’, apo laboratorët, me gjithë mbështetjet e projekteve, nxitjen me nisma të ndryshme- produktet e këtyre takimeve nuk kanë qenë ashtu siç është pritur, pasi ose dramat e paraqitura kanë qenë të dobëta dhe nuk e kanë parë skenën, ose kur e kanë parë kanë rezultuar dështime. Hatërmbetjet mes bordeve përzgjedhëse dhe ‘konkurruesve’ nuk kanë munguar, ashtu si shpesh vlerësimet janë bërë për shkak të miqësive.

Teksa Teatri Kombëtar në faqen e tij në “Facebook” ka publikuar veprat e sezonit të ri artistik, me autorë prej antikitetit te bashkëkohorët, me regjisorë shqiptarë e të huaj, por të gjithë autorë të huaj- kritikat nuk kanë munguar. Mungesa e një drame shqiptare, ka bërë që regjisori e aktori nga Kosova Enver Petrovci të kritikojë teatrin.

“Nuk e kupton se si mund të jetë një Teatër Kombëtar kur nuk ka asnjë vepër shqiptare në sezonin artistik. Unë i kuptoj regjisorët shqiptarë pse nuk i vendosin dramat kombëtare, sepse nuk kanë mundësi me vjedh regjitë e shfaqjeve nga ‘Youtobe’. Prandaj nuk kanë guxim ti vendosin dramat kombëtare. I dashur drejtor i TK mos hyni në këto kurthe të regjisorëve hajdut. Më e mirë është një shfaqje mesatare me dramë kombëtare se sa një shfaqje e “mirë” e vjedhur nga interneti”, ka thënë ai.

PËRGJIGJA
Drejtori Hervin Çuli i është përgjigjur regjisorit Enver Petrovci me këto fjalë: “Jam përgjigjur disa herë se nuk kam pothuajse fare qasje të regjisorëve me dramën shqipe…Si mendon ti Enver i dashur tu imponohem regjisorëve në përzgjedhjen e tyre. Enver unë mendoj se dramë shqipe apo e huaj TK duhet të flasë bukur shqip. Dhe thuaj ndonjë llaf të mirë Enver për përpjekjet që kemi bërë këto 2 vjet për të rifituar publikun e humbur, për shfaqjet e shumta, për aktorët dhe regjisorët e rinj të angazhuar… Miku im të pres të shohësh shfaqje në TK, sepse kam nevojë për mendimin tënd të kopjuara apo origjinale qofshin.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: