Në vitin 1949, autoritetet komuniste të Tiranës kanë kërkuar të transferojnë në bankat e Moskës një sasi të konsiderueshme të arit shqiptar.

Negociatat sekrete, të panjohura deri tani, janë udhëhequr drejtpërdrejt nga kreu i regjimit gjatë njërës prej vizitave zyrtare që ka bërë në ish­Bashkimin Sovjetik. Gazeta “Panorama” ka zbuluar letrën që Enver Hoxha i drejtonte Stalinit, ku i lutet të shqyrtojë kërkesën e qeverisë shqiptare për të depozituar në bankën e Moskës një sasi prej 2556 kg ar dhe 3980 kg argjend, “për t’i ruajtur nga çdo
rrezik”.

Nuk dihen rrethanat në të cilat kreu i Kremlinit është njohur me kërkesën e Hoxhës, por në shënimin që ky i fundit bën në tekstin e letrës, bëhet e ditur se ai ka kundërshtuar të depozitojë në bankat sovjetike arin shqiptar. Nuk dihen sakaq motivet e vërteta pse kjo negociatë e finalizuar pa rezultat nuk ka lënë gjurmë në dokumentet e shumta të marrëdhënieve shqiptaro-­sovjetike.

As në librin e Hoxhës “Me Stalinin”, ku përshkruhen gjerë e gjatë mbresat e përjetimet nga takimet me “babain e komunizmit” dhe “revolucionit proletar”, nuk përmendet askund. Hoxha që ka dalë i frymëzuar e i kënaqur nga të gjitha takimet me kreun e Kremlinit, ka renditur në kujtimet e veta me një saktësi të çuditshme të gjitha kërkesat e pranuara nga Stalini, por në asnjë rresht nuk bën fjalë për fatin e negociatës për arin.

Në aq sa rezulton në dokumentacionin e kohës, nuk qartësohet as mënyra si është konsumuar kjo kërkesë e kryetarit të qeverisë shqiptare me idhullin e tij në pranverën e vitit ’49. Sidoqoftë, përtej këtyre dilemave, një moment është fort i dukshëm: Realiteti tronditës që e detyronte Hoxhën të transferonte thesarin e shtetit, apo një pjesë të tij, në një vend të sigurt, siç vlerësohej asokohe ish ­Bashkimi
Sovjetik.

I porsa dalë nga dueli në Parti me grupin e Koci Xoxes, më i rrezikshmi deri atëherë për lidershipin komunist shqiptar, në kulmin e konfliktit me Titon dhe Jugosllavinë e i kërcënuar seriozisht nga presioni i anglo­amerikanëve që kërkonin me forcë rrëzimin e qeverisë së Tiranës, Hoxha, me përpjekjet për transferimin e arit, i paraprinte, me sa duket, pasigurisë në rritje, duke u investuar kësisoj për një situatë edhe më të rëndë, jo vetëm për fatin e regjimit, por edhe për fatin e tij. Me përulësi e servilizëm, në letrën që i drejton Stalinit, kryeministri i Shqipërisë shprehet gjithë përgjërim: “Kjo (depozitimi i arit shqiptar në Moskë) do të jetë një ndihmë tjetër e madhe që do t’i bëhet nga qeveria sovjetike popullit shqiptar, i cili do t’ju jetë shumë mirënjohës dhe do të jetë i qetë se pasuria e tij do të ndodhet në vendin më të sigurt”.

Por kreu i Kremlinit, që e njihte mirë filozofinë e sjelljeve të tilla, e ka shpërfillur hapur kërkesën e mysafirit nga Tirana, duke kundërshtuar në mënyrë kategorike tërheqjen e arit shqiptar në bankën e Moskës. Negociata është mbyllur këtu dhe Hoxha ka arkivuar letrën e shkruar në dosjen e vizitës zyrtare, duke mos e zënë kurrë në gojë dështimin e saj. Ishte kjo hera e dytë që ai vizitonte Moskën.
Për herë të parë ishte gjendur aty në verën e vitit 1947. Më poshtë botojmë të plotë tekstin e letrës që kreu i regjimit të Tiranës i drejtonte Stalinit për të tërhequr dhe depozituar arin shqiptar në
bankat e Bashkimit Sovjetik…
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: