Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Kopje e dokumentit origjinal, është administruar në dosjen e komplotit të Mehmet Shehut…

Letra evidenton me objektivitet, përgjegjësi, sinqeritet e saktësi biografinë politike dhe qëndrimin intelektual e qytetar të familjes Turdiu. Qazim Turdiu që në çastet e para të diskutimit dhe para se të merrej mendimi i kryeministrit dhe familjes së tij, me të cilën do të lidhej krushqia e ardhshme, me anë të përmbajtjes së letrës jep me kurajë dhe përgjegjësi një tablo reale e të gjithanshme të biografisë së familjes së tij. Qazim Turdiu ka evidentuar me korrektësi përbërjen, qëndrimet, pikëpamjet politike dhe shoqërore qytetare të personave më të rëndësishëm të familjes dhe të afërmve që kishin rëndësi për të kuptuar dhe vlerësuar të kaluarën, aktualitetin dhe të ardhmen e tyre.

Përshkrimi dhe theksi që vë për persona të caktuar, si Arshi Pipa, dëshmon për ndershmërinë e kujdesin për të sqaruar me përpikëri dhe pa rezerva biografinë e gjerë dhe treguar për personat që njiheshin për qëndrimin e tyre politik antikomunist në kundërshtim me sistemin politik në Shqipëri. Kjo tregon edhe preokupimin dhe njëkohësisht shqetësimin e tij dhe të familjes për t’u vlerësuar drejt rrethanat politike dhe të mbaheshin parasysh në vendimin që do të merrej nga familja e djalit që kishte vendosur të fejohej me vajzën e tij. Qazim Turdiu ka shkruar letrën për të sqaruar edhe vetë personalisht e me përgjegjësi direkte biografinë e familjes së tij, me qëllim të posaçëm që kryeministri Mehmet Shehu të kishte një dëshmi të qartë për këtë familje dhe me të dhëna biografike të deklaruara me sinqeritet.

Mehmet Shehu do të kishte një dëshmi me shkrim nga vetë familja e vajzës. Me anë të letrës ai do të kishte mundësi të mendonte, verifikonte dhe të arrinte në konkluzionet që do të vlerësonte më të drejta dhe më të argumentuara për të marrë vendimin e tij përfundimtar, me rëndësi për fatin e djalit të tij dhe vajzës së Qazim Turdiut, si dhe në përgjithësi për të dyja familjet. Familja Turdiu dihej se kishte mbajtur qëndrime korrekte në vitet pas Çlirimit dhe në vazhdim me vendosjen e pushtetit popullor. Përkushtimi në detyrat që kishin kryer dhe kryenin pjesëtarët e kësaj familjeje dëshmonte qartë për kontributin e tyre shoqëror. Pjesëtarët e rrethit të ngushtë familjar nuk kishin krijuar direkt shqetësime për Partinë e Punës dhe shtetin komunist.

Për këtë arsye pjesëtarët e kësaj familjeje nuk janë trajtuar publikisht si të deklasuar dhe ndaj tyre nuk janë marrë masa me përmbajtje politike. Ata janë toleruar për të kaluarën politike dhe qëndrimin e disa të afërmve, janë diferencuar në vlerësimet e organeve të Partisë e të punëve të brendshme. Kështu, ata janë konsideruar jo si të rrezikshëm aktualisht. Me këtë status ata kanë arritur të emërohen dhe të kryejnë detyra të nderuar, sidomos në arsim dhe shkencë, duke kontribuuar realisht në edukimin dhe përgatitjen e brezit të ri në shtetin socialist. Qazim Turdiu ishte profesor i dekoruar me dekoratën e lartë „Naim Frashëri“. Vajza e tij, Silva Turdiu, është dalluar për sjellje, rezultate të larta në mësime dhe angazhimin e suksesshëm edhe me aktivitete sportive. Ajo ishte volejbolliste e skuadrës së “Dinamos”, kishte marrë pjesë në ndeshje ndërkombëtare dhe nuk ka pasur ndonjë shqetësim për pikëpamjet politike e ideologjike, qëndrimin etik e moral dhe veprimtarinë e saj si nxënëse e më pas si studente. Me sjelljen e saj është treguar korrekte dhe nuk ka pasur ndonjë problem gjatë daljeve jashtë shtetit.

Letër publike e Silva Turdiut:

“Nexhmije Hoxha gënjen!” “Gazeta “Shekulli” po boton kujtimet e Nexhmije Hoxhës dhe diskutime të pabotuara të Enver Hoxhës në lidhje me ngjarjet e 81-shit, ku përmendet shpesh emri im dhe i familjes sime. Në kokat e Enverit dhe Nexhmijes fantazia dhe realiteti janë përzier e bërë lëmsh, sa as ata vetë nuk dinë t’i ndajnë. Kjo është e kuptueshme, jo vetëm sepse vepronin sipas parimit makiavelian se qëllimi justifikon mjetin, por edhe se kanë qenë të rrethuar me “yes-men” dhe sikofantë. Do të preferoja që Nexhmije Hoxha dhe soji e sorollopi i tyre të mos shkruanin më për mua e familjen time. Në pamundësi për ta kontrolluar këtë fakt, nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta përgënjeshtroj. Do të kisha heshtur sikur të flitej vetëm për mua, por më vjen keq të përlyhet reputacioni i të tjerëve, shumica të vdekur e që nuk mund të përgjigjen. Kujtimet e Nexhmijes përmbajnë, mes të tjerash, edhe thashetheme tendencioze për jetën private të familjarëve të mi, gjashtëdhjetë vjet me parë, që janë aq ordinere sa nuk meritojnë përgjigje. Do të përqendrohem vetëm në pohimet me rëndësi “politike”.

1) Akoma sot Nexhmija vazhdon të përsërisë përrallën enveriane të 6-7 kriminelëve të luftës në rrethin tim familjar. Nuk është e vërtetë që familjet Turdiu dhe Pipa kanë pasur kriminelë lufte, por intelektualë demokratë, antikomunistë, që kanë përdorur vetëm fjalën dhe penën. Pra, Nexhmije Hoxha, për hir të së vërtetës, ta fshijë me gomë shprehjen “kriminelë lufte” në fletoret ku përmendet familja ime dhe ta zëvendësojë me “luftëtarë të fjalës dhe të penës”.

2) Nuk është e vërtetë që babai im, prof. Qazim Turdiu, ka qenë me Ballin. E vërteta e thjeshtë është se nuk është marrë kurrë me politikë, sepse nuk i pëlqente politika.

3) Arshi Pipën nëna ime e kishte njëkohësisht djalë xhaxhai dhe djalë tezeje. Nuk është e vërtetë që prof. Arshi Pipa ka qenë “kreu i reaksionit dhe armik i popullit”, por, përkundrazi, simbol i rezistencës së popullit kundër diktaturës. Vëllezërit Myzafer dhe Arshi Pipa kanë qenë viktima të pafajshme të regjimit komunist. Gjatë luftës ishin antifashistë dhe demokratë të njohur (Nexhmija le të pyesë Ramizin). Pas luftës, avokatin 29-vjeçar Myzafer Pipa e vranë në tortura, sepse besonte në pavarësinë e sistemit gjyqësor nga pushteti politik. Profesorin e filozofisë Arshi Pipa e kalbën në burg për ndjenja antijugosllave, në kohën kur Enver Hoxha ishte vegël e Titos. Më 1958 Arshi Pipa çau kufirin (bashkë me një nga motrat e tij trimëresha) dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku u afirmua si dijetar i shquar e hero i luftës për të drejtat e njeriut.

4) Nuk është e vërtetë që babai im, prof. Qazim Turdiu, ka qenë “përpunuar” nga Sigurimi. Fjala dashakeqase “përpunuar”, në tekstin e diskutimit të Enverit një ditë pas vdekjes së Mehmet Shehut, është qëllimisht e vakët dhe implikon gjëra të shëmtuara. Ndërsa e vërteta është se në vitin 1972 Qazim Turdiun e thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku një zyrtar i lartë i saj i tha se duhej t’i shkruante të vëllait në Amerikë, dr. Ramazan Turdiut, të ndërpriste veprimtarinë kundër regjimit komunist në Shqipëri. Përndryshe do të kishte pasoja familjare shkatërruese. Qazim Turdiu u konsultua me të vëllezërit dhe vendosën t’ia shkruajnë Ramazanit letrën, që e firmosi gjyshja, me bindjen se Ramazani do ta kuptonte që ishin të shtrënguar. Këtë fakt Mehmet Shehu u mundua ta përdorë në debatet me Enverin për të provuar se Qazim Turdiu nuk ishte armik. Enveri iu përgjigj se ka qenë “i përpunuar” dhe nuk e ka bërë me sinqeritet. Prandaj Nexhmije Hoxha, për hir të së vërtetës, bën mirë ta shkarravisë fjalën “përpunuar” nga fletoret e Enverit dhe ta zëvendësojë me “kërcënuar”. Sidoqoftë, është krejt e dukshme se fletoret e Enverit nuk janë autentike, por të sanitarizuara, me qëllim që Enveri të bëjë një figurë sa më të mirë dhe Mehmeti të duket si mjeran. Në realitet, përmbajtja dhe toni i përplasjes së Enverit me Mehmetin ka qenë krejt ndryshe.

5) Nuk është e vërtetë që fejesa ime me Skënder Shehun qe e imponuar.

6) Nuk është e vërtetë që kemi pasur presione nga familja Shehu, apo emisarë të tyre për të pranuar fejesën.

7) Sipas traditës se popullit tonë, çdo fejesë ka anën personale që i takon çiftit, dhe anën familjare me të cilën merren prindërit. Është e vërtetë se Qazim Turdiu hezitonte për ta lidhur fejesën, jo se “nuk donte të tradhtonte klasën e tij”, siç shkruan anakronikisht Nexhmija, sepse ishte humanist dhe nuk besonte në ndarjen e popullit në klasa, por sepse nuk aprovonte anën brutale të regjimit, ku Mehmet Shehu ishte njëri nga protagonistët. Por, nga ana tjetër, edhe besonte se çdo dash varet nga këmbët e veta dhe se i biri nuk është përgjegjës për mëkatet e babait.

8) Nuk është e vërtetë që figura morale e Skënder Shehut ka qenë ashtu siç e përshkruan Nexhmija. Ajo le të pyesë shokun e ngushtë të Skënderit, Ilir Hoxhën.

9) Nuk është vërtetë që Enver Hoxha “nuk dinte asgjë” për Qazim Turdiun kur bëri vizitën për urimin e fejesës. Unë isha prezent. Më tha vetë se e njihte mirë Qazim Turdiun dhe shprehu konsideratë të lartë. Pse e ndërroi fletën më vonë?

10) Në diskutimin në Byro Enveri shprehu merak të madh për fotografitë e fejesës me Enverin në krye, se mos kanë rënë në duart e reaksionit ndërkombëtar, duke sajuar fantazinë se fotografitë do të kenë shkuar te Turdijtë, pastaj në Greqi dhe më pas në duart e Arshi Pipës në Amerikë. E vërteta është se as që u kujtua njeri për fotografitë me Enverin (Enverit i pëlqente kamera dhe nuk linte rast pa dalë në fotografi) dhe do të kenë ngelur në aparatin e ndonjërit prej fotografëve të Bllokut.

Fantazia e “komplotit” të fotografive është një maket në miniaturë i konstruksioneve fantastike të komploteve të paqena në trurin diabetik enverian. Ato që Enveri dhe Nexhmija kanë shkruar për faktet që unë i di dhe njerëzit që unë i njoh, janë pothuajse të gjitha gënjeshtra. Po të përdorim metodën e arsyetimit me induksion, shumica e gjërave që kanë thënë edhe për të tjerët duhet të jenë gënjeshtra. Megjithatë, nuk është e vështirë “to read betëeen the lines” në kujtimet e Nexhmijes: Situata në udhëheqjen e Partisë ishte mbytëse. “Shokët” (tashmë të plakur dhe të rrjedhur) urrenin njëri-tjetrin, ruanin nëpër kasaforta dokumente “kompromentuese” për shoku-shokun dhe mezi prisnin që dikush të gabonte e t’i suleshin si qentë të uritur.

Enveri ndiqte taktikën “përça dhe sundo”, Kadriu donte t’i zinte vendin Mehmetit, ndërsa Ramizi synonte largpamësisht karrigen e Enverit. “Shoqet” përdornin taktikat e plakave ziliqare për t’u futur xixat pleqve: “E di ti, Enver, se çfarë biografie ka e fejuara e Skënderit? Po kolltukët e rinj të Fiqiretit i vure re? I kanë më të mirë se tanët. Meqë ra fjala, Turdiu i ka vënë notë të keqe Pranverës në matematikë!” Dhe kulmi i absurditetit, aq sa futet në kategorinë e qesharakes, është sajesa enveriane se poliagjenti Mehmet Shehu mori urdhër të prerë nga shërbimet e huaja që të vrasë Enver Hoxhën për të përmbysur regjimin në Shqipëri. Këtë nuk e bëri dot, sepse ishte shumë “e vështirë” (ndonëse me dhjetë veta mund ta pushtoje të tërë Bllokun).

Atëherë, si variant i dytë për të përmbysur regjimin, fejoi djalin! (Është shumë më e pranueshme që një individ inteligjent si Mehmet Shehu, nën influencën modernizuese të djemve të tij, ta kishte kuptuar më në fund kotësinë vëllavrasëse të luftës së klasave dhe ta shikonte këtë fejesë si një mjet për ta përmirësuar regjimin, dhe jo përmbysur atë.) Të kthehemi në kohën e tashme: Mirë se Enveri ishte i çmendur dhe ka vdekur, por ty, Nexhmije Hoxha, po të flas si grua dhe si nënë, si nuk të vjen turp që nuk shpëtove shoqen tënde të ngushtë të shkollës e të luftës dhe fëmijët e saj që u rritën bashkë me fëmijët tuaj.

Silva Turdiu

  1. 04. 2004

“Pak ditë pasi Nexhmije Hoxha ka nisur publikimin e kujtimeve të librit të tretë të saj në njërën prej të përditshmeve shqiptare, vjen përgjigjja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe e Silva Turdiut. Ish-e fejuara e djalit të Mehmet Shehut, dorës së fortë të regjimit komunist, njëkohësisht njëra prej personazheve më të përfolura të ngjarjeve që rrodhën pas vetëvrasjes së kryeministrit, reagon ashpër. Vajza e vogël e profesorit të njohur të matematikës, volejbollistja e talentuar e ekipit “Dinamo” dhe atij kombëtar, pinjolle e njërës prej familjeve më të njohura dhe të nderuara të Tiranës, thyen heshtjen pas shumë kohësh për të rrëfyer të vërtetat e saj.

Politizimi i biografisë së familjes Turdiu

Mehmet Shehu ka qenë me kohë i mirinformuar për biografinë e familjes Turdiu. Megjithatë, ai ka kërkuar zyrtarisht edhe një informacion nga ministri i Punëve të Brendshme. Kjo kërkesë kuptohet se është bërë sipas kritereve të zbatimit të luftës së klasave, praktikës që respektohej për garancitë politike për familjet e udhëheqjes që lidhnin krushqi të reja, si dhe për të treguar interesimin e tij personal dhe zyrtar për shkak të funksioneve të larta partiake e shtetërore që kishte. Ajo përmban edhe qëllimin e tij për të pasur një dokument nga organi kompetent për qëndrimin politik të familjes Turdiu dhe të vetë vajzës me të cilën djali i tij kishte vendosur të fejohej.

Dihet se Mehmeti ka qenë vetë më parë ministër i Punëve të Brendshme dhe për një kohë të gjatë kryeministër. Jo vetëm si zyrtar, por edhe si qytetar i Tiranës që nga nëntori 1944, ai ka pasur dijeni për qëndrimin politik të kësaj familjeje dhe të Qazim Turdiut, si person i njohur, me kontribute në arsim dhe në shkencë.

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Enver Hoxha ka marrë edhe një dokument zyrtar për biografinë e Turdijve. Në zyrën e tij, në shtëpinë e tij, atij i është dorëzuar në dorë nga Sulo Gradeci informacioni i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit me të dhënat biografike, i kërkuar personalisht prej tij, megjithëse nuk ka qenë i nevojshëm për arsye se ai kishte njohuri të plota. Në këtë informacion, midis të tjerave, thuhet: “Silva Turdiu është vajzë e shkëlqyer, studente e shkëlqyer në Fakultetin Ekonomik dhe volejbolliste e shkëlqyer e ekipit të ‚Dinamos‘. Qazim Turdiu është një pedagog i nderuar, shumë i aftë profesionalisht, korrekt në punë dhe në jetë, me qëndrim të mirë moral dhe politik. E shoqja e Turdiut është kushërirë e Arshi Pipës, i arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aktivitet politik kundër vendit tonë.“

Nga analiza e të dhënave biografike dalin këto përfundime:

– Arshi Pipa nuk ishte daja i Silvës, siç u akuzua dhe u përgojua me urrejtje klasore nga klasa politike në atë kohë.

– Ambienti shoqëror tiranas, sidomos bashkëmoshatarët, e njihnin Silva Turdiun si një vajzë me vlera dhe sjellje qytetare korrekte, të admirueshme për bukurinë natyrore femërore të cilën nuk e reklamonte dhe ndihej mirë me veshjet normale si edhe rrethi i saj familjar e shoqëror.

– Familja Turdiu njihet si një familje e nderuar e intelektuale.

– Për Enver Hoxhën, anëtarët e Byrosë Politike dhe gjithë personat që akuzuan dhe mallkuan këtë krushqi, nuk ju kushtuar rëndësi objektivitetit të këtyre të dhënave për familjen Turdiu. Me qëllime të caktuara politike, për të akuzuar Mehmet Shehun, u mbivlerësuan të dhënat e një kushëriri që ishte i arratisur e kundërshtar i regjimit në Shqipëri. Prandaj kjo e dhënë u shfrytëzua vulgarisht si një pretekst, vetëm pretekst, për të argumentuar padrejtësisht dhe likuiduar në mënyrë mafioze Mehmet Shehun.

– Ramiz Alia e zgjeron më tej sulmin e padrejtë duke e politizuar më shumë. “Nga krushqia me këtë familje, – thoshte duke pretenduar Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike më 17 dhjetor 1981, – do të na gjente hataja. Kjo ngjarje do të na vriste të gjithëve; do të kishte pasoja tepër të mëdha, shumë të rrezikshme. Partia do të dëmtohej rëndë. Po të mos kishte ndërhyrë menjëherë shoku Enver, do të krijohej një konfuzion i madh ideologjik lidhur me luftën e klasave…“… Lufta e klasave, sipas tij, “nuk duhet parë, nuk duhet kufizuar vetëm në familjen e ngushtë, por në rrethin e gjerë familjar, domethënë në disa breza me soj e sorollop“.

Sipas kësaj teorie që ai futi në praktikën e vlerësimeve politike, sikur një nga anëtarët e kësaj familjeje të gjerë të jetë me pikëpamje të kundërta ‚armiqësore‘, të gjithë pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje duhet të konsiderohen me pikëpamje të tilla. Ky qëndrim klasor politik i udhëheqjes së Partisë së Punës bazohej në fakt në pikëpamjet armiqësore mbi kuptimin dhe qëndrimet me konceptet për shoqërinë mesjetare të familjes fisnore, feudale. Partia e Punës e Shqipërisë dhe institucionet shtetërore të diktaturës zbatuan me rreptësi këtë teori reaksionare. Lufta e klasave ka vërtetuar se shumë familje nga farefisi i tyre u persekutuan, burgosën, internuan, duke u bazuar në faktin se vetëm ndonjë nga farefisi i tyre u akuzua dhe u dënua si “armik i Partisë dhe pushtetit popullor”.

Informacioni është në përmbajtje pothuajse i njëjtë me letrën e shkruar nga Qazim Turdiu. Në bazë të kritereve të qëndrimit biografik dhe të besimit e të garancive të shtetasve, Silva Turdiu është lejuar për të dalë jashtë shtetit për aktivitete sportive. Kjo tregonte për besueshmërinë në qëndrimin e saj aktual dhe përjashtoheshin rreziqet potenciale nga dyshimet për qëndrimin e mëparshëm politik të familjes së saj. Ministri i Punëve të Brendshme është deklaruar personalisht dhe ka dhënë mendimin e tij që Silva Turdiu të lejohej të merrej dhe të bëhej pjesëtare e skuadrës së volejbollit “Dinamo”.

Pjesëmarrja në këtë skuadër që përfaqësonte organet e punëve të brendshme, ishte edhe një garanci për qëndrimin politik dhe sjelljet e sportistëve të kësaj skuadre. Ministri ka deklaruar se: “… sjellja e vajzës nuk kishte probleme, se ajo luante në ekipin e “Dinamos” dhe në atë kombëtar të Shqipërisë në volejboll. Ajo ishte pranuar në ekip me rekomandimin e atij vetë dhe ishte mjaft e lakmuar nga djemtë e Bllokut, përfshi djalin e Kadri Hazbiut.”

Të dhënat biografike dhe qëndrimi aktual i familjes Turdiu që është evidentuar në këtë relacion, janë të njëjta me atë që kishte deklaruar më parë edhe vetë Qazim Turdiu. Me sinqeritetin dhe ndershmërinë e tij ai kishte dhënë në kohë të dhënat reale që ishin të domosdoshme për njohjen mirë të familjes së tij dhe marrjen e vendimit sa më të drejtë për fejesën që do ta vlerësonte të arsyeshme vetë kryeministri. Arshi Pipa, antikomunisti dhe armiku i rrezikshëm. Arshi Pipa është i afërmi që cilësohet si armik i pushtetit popullor, përcaktues për qëndrimin politik të Turdijve, dëshmi për vlerësimin e fejesës si tradhti e kryeministrit ndaj Enver Hoxhës. Në bazë të të dhënave hetimore dhe informacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë bërë dhe vazhdojnë arsyetimet dhe opinionet për biografinë dhe qëndrimin politik të pjesëtarëve dhe të afërmve të familjes Turdiu.

Në formë më të përmbledhur gjen më shumë referim teksti ku theksohet se: “… Një prej të afërmve të nënës së saj ishte i dënuar politik, i arratisur në Nju Jork të SHBA, Arshi Pipa. Ndryshe nga të arratisur të tjerë, Pipa ishte treguar aktiv në denoncimin e regjimit komunist të Tiranës në Perëndim. Merrte pjesë në konferenca kundër regjimeve komuniste dhe fliste dendur në radiot perëndimore që dëgjoheshin edhe në Shqipëri, si radio “Europa e lirë” dhe “Voice of Amerika”. Profesor në Universitetin e Nju Jorkut, ai kishte shkruar edhe shumë artikuj anglisht për komunizmin në Shqipëri, madje edhe libra.”

Qëndrimi politik i Arshi Pipës vlerësohet me dënimin e tij për veprimtari armiqësore, kontributin në medien amerikane dhe shkrimet që ka bërë konkretisht për të kaluarën e Enver Hoxhës, sidomos për prirjet e tij në rini, duke vënë në pah detaje, duke hedhur dyshime, ironizuar dhe akuzuar publikisht në medien e shkruar për intimitetin dhe dyshuar edhe për orientimin e tij homoseksual. Në vitin 1973 Arshi Pipa kishte botuar në Nju Jork një biografi satirike në vargje për Enver Hoxhën. Në këtë shkrim zinte vend me rëndësi akuza dhe përgojimi i personalitetit të Hoxhës me dyshimet për orientimin “homoseksual”…”

Fleta e shtypur me këtë vjershë, e shpërndarë për publikim, për njohje dhe për demaskimin e Enver Hoxhës në emigracionin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte ardhur edhe në Shqipëri. Sigurimi i Shtetit natyrshëm ka vënë në dijeni udhëheqjen kryesore, siç ka vepruar në çdo rast. Dihet se Sigurimi i Shtetit ka pasur si objekt kryesor të veprimtarisë së tij agjenturore të kundërzbulimit organizimin dhe veprimtarinë e emigracionit shqiptar, sidomos të personave me aktivitet të njohur politik kundër regjimit komunist në Shqipëri.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb