TIRANE– Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë u mblodh sot asambleja e Aleancës së Grave Deputete, të cilat pavarësisht përkatësisë politike u bënë bëshkë për të diskutuar rreth situatës së dhunës mbi gratë dhe e krimit në familje.

Aleanca e Grave Deputete në ditët e ardhshme do të aktivizojë një aksion kombëtar për sensibilizimin e gjithë institucioneve kundër këtij fenomeni dhe të një qasjeje tjetër aktive dhe shumë më të kujdesshme ndaj këtij krimi që shpesh konsumohet në heshtje. Gratë deputete ranë dakord të caktojnë si kryetare të fushatës kundër dhunës ndaj grave, deputetet Arta Dade dhe Majlinda Bregu. Kjo fushatë, vjen pas raportimit të ditëve të fundit për rastet e shumta të dhunës ndaj grave.

Që në fillim të diskutimeve, kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Mesila Doda kërkoi mbështetjen e Presidentit për këtë fushatë kundër dhunës në familje. “Gjej rastin të kërkoj vëmendjen e Presidentit të Republikës që në cilësinë e Kreut të Shtetit të ndihmojë në luftën kundër dhunës në familje si një prioritet kombëtar”, tha Doda.

Deputetja Bregu u shpreh se dhuna ndaj grave në vitet e fundit ka kapur shifra tronditëse dhe apeloi që ndërgjegjësimi duhet të nisë nga burrat.

“Duhet të ndërgjegjësohemi se dhuna lëndon familjen, duhen ndihmuar gratë e dhunuara, ne nuk jemi treguar shumë të egër në luftën kundër dhunës në familje dhe ndaj grave. Shifrat e sotme janë tronditëse për të gjithë shoqërinë. Sot na duhet të përcaktojmë fushatat për djemtë dhe burrat, të edukohen se nuk mund të godasin dhe dhunojnë një grua. Jo ndërgjegjësim grave por burrave, të gjithë shoqërisë. Të ndërtojmë në mënyrë urgjente mbështetje për gratë dhe viktimat e dhunës”, tha Bregu ndërsa kërkoi edhe mbështetjen e mediave për sensibilizim.

Bregu shtoi më tej se ka dorëzuar në Kuvend dy nisma ligjore, njëra prej të cilave kërkon që të ndalohen me ligj komentet denigruese dhe ofenduese për gratë në mediat on line.

“Paraqes shqetësimin e vazhdueshëm të çdo gruaje në vend për raportimet që bëhen në faqet e mediave on line. Komentet cënojnë nderin dhe reputacionin e grave. Mediat on line të fshijnë komentet denigruese, t’i detyrojë ligji”, tha Bregu, duke shtuar se mungojnë të dhënat për përhapjen e dhunës ndaj grave. “Prapë them se ne nuk kemi qenë shumë të egër në luftën kundër dhunës. Për çfarë kemi nevojë? Unë them që në mënyrë urgjente kemi nevojë për evidenca. Asnjëra nga ne sot nuk di të dhëna për përhapjen e dhunës, nuk di zonat ku është incidenca më e lartë, nuk di rolin e policisë, sa raste ka parandaluar sa raste ka çuar në gjykatë. Na duhet të ndërtojmë në mënyrë urgjente, ne mund të jemi të parat që ta propozojmë, po e përsëris me gjithë faktorët e tjerë një mbështetje multisektoriale për gratë e dhunuara dhe për viktimat dhe të mbijetuarat”, tha Bregu.

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi propozoi se duhen bërë disa ndryshime ligjore me qëllim parandalimin e dhunës.

“Të ftojmë publikisht të gjithë ekspertët, gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, gjithë organizatat që kanë rekomandime për të bërë ndryshimet ligjore. Me qëllim që ndryshimet që do të synojnë parandalimin në radhë të parë të dhunës në familje dhe mbështetjen për viktimat të jenë të mirëintegruara”, tha Hysi.

Deputetja socialiste Arta Dade, sugjeroi që të bëhet një vlerësim i situatës në vend. “Konkretisht do të sugjeroja që ne të bëjmë një vlerësim dhe për këtë duhet të angazhojmë specialistët që ka ky Kuvend sepse kjo çështje nuk është jashtë vëmendjes së Kuvendit”, tha Dade.

Ndërsa kryetarja e Aleancës së grave deputete, Mesila Doda tha gjatë fjalës së saj se është me rëndësi miratimi i Kodit të Etikës. Ajo më tej tha se, “Ne sot duhet të shmangim replikat dhe të bëhemi bashkë për një kauzë të tillë, të lëmë mënjanë akuzat”.

Menjëherë pas mbledhjes deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Silva Caka, doli në një deklaratë për median dhe njoftoi nisjen e një proçesi për marrjen e masave emergjente për parandalimin e dhunës kundër grave të dhunuara.

“Aleanca e Grave Deputete duke e konsideruar çështjen e të drejtave të njeriut si çështje kryesore, nis sot një proces të identifikimit të marrjes së masave emergjente dhe afatmesme kundër dhunës me bazë gjinore ndjekjen dhe zbatimin e tyre nëpërmjet mekanizmit të ndërgjegjësimit dhe të kontrollit parlamentar”, deklaroi Caka.

PRESIDENTI NISHANI

Pas thirrjes së Aleancës së Grave Deputete, ka ardhur edhe përgjigjja pozitive e Presidentit të Republikës Bujar Nishani, i cili e ka mbështetur nismën e deputeteve për një aksion kombëtar në sensibilizimin kundër dhunës ndaj grave. Me anë të një deklarate, Nishani njofton se është njohur me iniciativën e “Aleancës së Grave Deputete”, të cilën e mirëpret dhe mbështet plotësisht. Për këtë qëllim, ai fton zonjat deputete në një takim konsultues dhe koordinues për të çuar përpara një proces konkret të angazhimeve institucionale.

(ar.sh/ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb