Roberto Mancini, trajneri i Italisë, kërkon të shoh përpara, Anglia ishte thjesht pengesa e parë, më e forta: “E dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Pësuam dy gola nga goditje standarde, por më pas, në pjesën e dytë morëm kontrollin dhe dominuam, e meritonim të barazonim. Na vjen keq që e nisëm kështu, por rruga është ende e gjatë”, u shpreh Mancini duke bërë më pas edhe një koment për Retegiu, një nga detajet pozitive të Italisë në këtë premierë:
“Ka vetëm tre ditë me ne, ka nevojë të njihet me shokët dhe me futbollin italian, i duhet kohë”, theksoi trajneri i Italisë.
Shijon këtë fitore trajneri Southgate, kjo ishte një ndeshje e veçantë edhe për të personalisht pasi siguroi fitoren e 50-të në krye të Anglisë, trajneri i tretë në histori që e bën diçka të tillë me “tre luanët”: “Treguam dy anët e medaljes, pjesën e parë kontrolluam mirë, ndërsa me fillimin e së dytës gabuam në shumë vendime. E rëndësishme është që luftuam, vuajtëm dhe sollëm në shtëpi tre pikët”, u shpreh Southgate pas ndeshjes.
Feston për këtë fitore, feston për golin e tij rekord, kapiteni Harry Kane: “Është fantastike të rikthehesh dhe të fitosh në Itali pas kaq shumë vitesh. Ishte shumë speciale për mua, e paharrueshme. Falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur që kjo ëndërr të realizohej”, u shpreh Harry Kane, golashënuesi më i mirë i Anglisë.
(BalkanWeb)