NGA SHABAN MURATI*

Estetika e poezisë së Ilirian Zhupës përfshin një dimension origjinal të një shkrirjeje poetike të ndjenjës estetike, të mendimit estetik dhe të bukurisë estetike. Nëse poezia përkufizohet shpeshherë si çast i kapjes së momentit poetik, i gjetjes poetike, i figurës poetike, tek Ilirian Zhupa çasti poetik nuk është çast, por është përtej kohor. Kjo përtejkohësi e tij shfaqet te vazhdimësia e shijimit poetik në mënyrë interesante, në përjetimin sa më të gjatë kohor të këtij çasti, i cili përthyhet në derivat poetik, në enumeracion figurativ, në asociacion njerëzor dhe në ngacmim filozofik, që vazhdon në një zhbirim natyral të brendshëm te vetë lexuesi.

Është një veçori e individualiteteve të shquara poetike, kur vepra krijon një fund të hapur të ndjesimit, të besimit dhe të kërkimit poetik dhe filozofik. Në art, dhe sidomos në poezi, është e vështirë të shkrish përvojën estetike të së kaluarës njerëzore me përvojën estetike të së tashmes dhe të përthyesh kufijtë, nga e bukura që ka përjetuar poeti, tek e bukura që kanë përjetuar të gjithë lexuesit e veprës së tij.

Libri “Të gjallë dhe të vdekur” është kaq njerëzor, kaq poetik dhe filozofik njëkohësisht, saqë çdo përvojë njerëzore, sado madhore dhe e thellë, e bën pjesë të njeriut dhe të shoqërisë që na rrethon: “Zotat u ngjitën në qiell dhe s’dinë më të zbresin,/ Kanë frikë mos dheu nga lindën,/ është dheu ku duhet të vdesin”. Ai është poet i dashurisë së madhe, të të gjitha dashurive, dhe ka ditur të gjejë dhe të mëkojë qetësinë sublime të shpirtit njerëzor, duke qëndruar mbi vogëlsirat, mbi meskinitetet, mbi mëritë, dhe duke frymëzuar nevojën dhe lirinë e shpirtit rebel prej Prometeu, duke menduar jo ata, të cilëve u vodhi zjarrin, por ata, te të cilët dërgon zjarrin. Poezia e tij, siç artikulon vetë poeti në librin e tij, i hyn shpirtit të njeriut mbi lëkurë dhe nën lëkurë.

Kjo i jep librit “Të gjallë dhe të vdekur” një forcë poetike të veçantë dhe një konfigurim origjinal të së bukurës në jetë, në histori, në shoqëri dhe në mendim. Ilirian Zhupa nuk rend pas befasisë apo rastësisë së figurës artistike apo idesë poetike apo të vargut poetik. Poezitë e tij mishërojnë simbiozën unike të shkrirjes së figurës letrare me mendimin poetik e filozofik, që e krijon një art me pjekuri estetike dhe artistike.
Merita e madhe e poezisë së Ilirian Zhupës është thelbi dhe forca civilizuese e artit të tij, i cili jo vetëm i është shmangur me elegancë ngasjes rurale, kaq e rëndomtë në shumicën e poetëve shqiptarë, por ndërton ato shtigje kërkimi dhe mendimi njerëzor e shoqëror, të cilat i përkasin zhvillimit dhe perspektivës së shoqërisë shqiptare. Libri përfaqëson një poezi të shkruar me kulturë dhe nerv të rrallë poetik, që eksploron humbëtira dhe të pathëna të shpirtit dhe të trurit njerëzor. Ai është poeti i kërkimit të gjatë artistik e filozofik, sepse atë nuk e ka munduar vargu, që është mjeshtëria e tij natyrale. Atë e ka munduar kërkimi i domethënies, i kuptimit dhe i zbërthimit të sistemit të shenjave të filozofisë së shpirtit, të jetës, të raporteve njerëzore, të dashurisë, të shoqërisë së sotme shqiptare, e cila nuk ka gjetur prej shekujsh ekuilibrin e njeriut me shtetin, që është leva e Arkimedit e civilizimit të vërtetë.

Rropatja e tij e stërgjatë poetike dhe meditative solli në dritë një poemë madhore si “Qielli im”, që mendoj se është një nga poemat më të mira të poezisë moderne shqiptare. Është mistika e vështirë e atit, birit dhe shpirtit, si trinomi i njohur dhe i panjohur i një jete dhe i të gjitha jetëve, që vjen te lexuesi me një mendim të thellë dhe me zbërthim poetik origjinal, që vjen me një sistem metaforash tronditëse, që kanë brenda edhe revoltën e atij, që kërkon gjatë, me lodhje dhe herë me dëshpërim, por edhe me besim se arti i tij, pas këtij shtegtimi mundues, do ta çojë te krijimi i një peme të bukur madhështore poetike, që bëhet shpejt pjesë e çdo shpirti vdekatar dhe mëkatar, që e lexon.

17 vjet të djersitura me daltën e tij poetike për të nxjerrë një skulpturë shembullore poetike, janë një shembull madhor që kryeveprat poetike dhe letrare kërkojnë mundin e meditimit dhe zhytjen në të vërtetat dhe të panjohurat e artit poetik dhe të shpirtit.
Ilirian Zhupa është një fenomen poetik në letrat shqipe, jo vetëm për nivelin e lartë të mjeshtërisë poetike, por sidomos për laboratorin e krijimit të tij poetik, që është unik. Është rast i pashoq në letrat shqipe, që një krijues, duke arritur të rreshtohet që në fazën e parë të krijimtarisë së tij ndër individualitetet më të spikatura poetike të kohës dhe të vlerësohet me çmimin e Republikës për poezitë e tij, të zgjedhë heshtjen 25-vjeçare të mbylljes në laboratorin e tij krijues. Një heshtje poetike, në të cilën nuk u ndërpre kurrë komunikimi i brendshëm shpirtëror dhe artistik me fjalën dhe artin e tij. Vëllimi “Të gjallë dhe të vdekur”, që vjen pas një pune sizifiane artistike gjatë heshtjes 25-vjeçare, mund të thuhet se përbën një nga ngjarjet poetike më të shënuara të këtij çerekshekulli.

Ilirian Zhupa është një befasi poetike në kuptimin e dinamikës dhe të vazhdimësisë së gjithë krijimtarisë së tij poetike. Sintezat poetike dhe filozofike të koncepteve dhe të ndjenjave më të holla njerëzore, të kuptimit dhe të domethënies së enigmave të përjetshme të qenies dhe të jetës, të zbërthyera në mënyrë origjinale, kërkimi, zbulimi dhe shpjegimi i së bukurës dhe i dashurisë nëpër qeliza të panjohura jete dhe ekzistence, ku nuk të shkon mendja, të trupëzuara me një sistem figurativ metaforik dhe vrull të rrallë emocional poetik dhe përgjithësues, e bëjnë këtë libër një kontribut të veçantë në poezinë dhe në letrat shqipe.

Raportet më të vështira të planetit “njeri”, si jeta dhe shpirti, njeriu dhe jeta, njeriu dhe qenia, njeriu dhe pushteti, njerëzorja dhe qiellorja, janë lënda të poezisë së tij, të cilat i sjellin lexuesit një filozofi dhe estetikë poetike tejet origjinale. Veçori e individualitetit të Ilirian Zhupës është se mistikën e përjetshme të poezisë e përthyen në një përthithje dhe përjetim emotiv realist dhe të prekshëm, gjë që është kaq e vështirë në artin poetik. Me këtë libër, poeti Ilirian Zhupa rivjen dhe ulet hijerëndë në vendin, që kishte lënë bosh në tryezën e magjisë poetike, sepse askush nuk ia zuri vendin në Parnasin e poezisë shqiptare. Poezia kishte dhe ka nevojë për të.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: