Monedha europiane po njeh rekorde të reja në këmbimin me lekun vendas. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, 1 euro sot arriti në kufijtë e 111.12 lekëve. Ish-ministri i Financave, ekspert i ekonomisë, Arben Malaj ka analizuar 3 faktorët që ndikojnë në fuqizimin e monedhës vendase, lekut.

Malaj, në një lidhje skype për ‘News24’, Malaj pohoi se ka tre burime nga të cilat vjen forcimi i lekut, që është turizmi, remitanca (të ardhurat nga emigrantët) si dhe të ardhurat nga investimet e huaja.

“Përmasat e fuqizimit të monedhës kombëtare është në nivele të papara. Kursi i këmbimit është i çmimi. Si çdo çmim shikojmë ofertën, hyrjen e euros, kërkesën dhe daljen. Ajo që vlerësohet dhe nga analistët, është se ka tre burime; turizmi, remitanca dhe të ardhurat nga investimet e huaja direkte. Shifrat do duhen qartësuar nga institucionet përkatëse. Ajo që po ndodh konsiderohet normale nëse këta tregues janë real. Fuqizimi i monedhës kombëtare ndodh kur fuqizohet ekonomia. Shqipëria ka deficit tregtar. Ne duhet të qartësojmë se Banka e Shqipërisë, si çdo institucion tjetër, është i interesuar për monedhën kombëtare, dhe jo për euronë. Banka ndërhyn kur goditet sistemi ynë, i pagave dhe pensioneve. Por kush fiton dhe kush humbet nga forcimi i monedhës kombëtare?! Të parët përfitojnë ata që i kanë detyrimet në euro dhe të ardhurat në lekë. Nga kjo përfiton dhe qeveria shqiptare, pasi kemi borxh të madh në euro. Banka Botërore nisi një fushatë ndaj uljes së varësisë ndaj euros.”, tha Malaj.

Ndërkohë, pyetjes së çfarë masash duhet të marrë Banka e Shqipërisë, Malaj tha se; “Banka e Shqipërisë i ka të limituara mundësitë për të ndërhyrë, pasi mund të humbasim dhe bastin. Banka Qendrore ka për detyrë të mbrojë monedhën kombëtare dhe ndërhyn në kursin e këmbimit. Në momentin kur zhvlerësimi i monedhës ndodh, atëherë ajo ndërhyn. Ajo që do të theksoja se është shqetësuese dhe për eksportuesit, ata duhet paralajmëruar për rriskun e luajtjeve të mëdha. Ata duhet të dinë periudhat kur luhaten monedhat. Ka një serë masash që duhet të merren dhe s’mund ta bëjnë bankat këtë. Ajo që është shqetësuese, shohim se ka tentativa për të futur para informale dhe kriminale, ku është rrisk i madh. Në gjithë analizat, sektori ku ato futen janë pasuritë e patundshme, ndaj dhe ajo kanë çmime të larta. Kjo rritje kryesisht nuk është për rritjen e kostos, por për rritjen e kërkesës. Kjo rritje e kërkesës nuk është nga rritja e kërkesës së kredisë, por nga veprime informale dhe kriminale.”.

Nga ana tjetër Malaj tha se në këto momente, rritja ekonomike në Shqipëri është në nivelet e 3.3%, ndërsa paralajmëroi rënie të importeve.

“Do shohim në dinamikë se çfarë do të ndodhë me këto faktorë. Rritja ekonomike e Shqipërisë është në nivelet 3.3 %. Do kemi rënie të importeve, le të shohim nëse do këtë rritje të eksporteve, por kemi kërkuar ndërhyrje. Eksportet kanë kontribut në punësim dhe në rritjen ekonomike të vendit. Janë investimet e huaja direkte, dërgesat që vijnë nga emigrantet dhe të ardhurat nga turizmi dhe bilanci tregtar nëse kërkon më shumë apo më pak euro, duke marrë në konsideratë balancën e eksporteve.”, theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: