Për herë të parë në histori, Turi i Shqipërisë do jetë në kalendarin e Federatës Botërore të Çiklizmit (UCI).

Nga data 20-24 maj, gara çiklistike shqiptare, e treta më e vjetër në Europë pas dy “Grand Tour”-ve si Turi i Francës dhe Xhiro e Italisë, do të zhvillohet në vendin tonë. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë sezon pasi nga ky vit do jetë përgjithmonë në kalendarin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit.

Pikërisht dje u bë edhe prezantimi i këtij evenimenti me pjesëmarrjen e të gjithë protagonistëve të kësaj gare kombëtare, tashmë edhe të ndërkombëtarizuar. Në edicionin e 74-t të Turit të Shqipërisë, çiklistët do të përshkojnë gjithsej 882km të ndara në 5 etapa me prolog Tiranë-Korçë dhe epilog Sarandë-Fier, ku do të kurorëzohet edhe kampioni i vitit. Etapa më e gjatë dhe më sfiduese do të jetë ajo e dyta Korçë-Elbasan, 198 km e gjatë.

Në fjalën e tij përshëndetëse presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ka kërkuar më shumë mbështetje nga ana e autoriteteve shtetërore dhe policisë për mbarëvajtjen e aktivitetit, por edhe nga sipërmarrja.

“Për të ardhur në këtë edicion të 74-t, për mua është tepër i veçantë. I veçantë për ne si komunitet i çiklizmit, por edhe i veçantë për mua personalisht. Ky do të jetë Rrethi i 27-të që organizohet nën drejtimin tim si president i federatës. Por, të jem i sinqertë me ju, për mua ky është njëlloj si i pari, pasi në fakt është i tillë.

Ky është Rrethi i parë Çiklistik i Shqipërisë që zhvillohet në kuadër të kalendarit ndërkombëtar të Federatës Botërore të Çiklizmit (UCI). Ky është Rrethi i parë Çiklistik i Shqipërisë që zhvillohet sipas rregullave të një veprimtarie ndërkombëtare, e mbikëqyrur nga zyrtarë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë. Do të ketë një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, shumica dërrmuese e të cilave janë skuadra ndërkombëtare që sjellin bashkë me emrin dhe reputacionin e tyre edhe një përvojë dhe ekspertizë të re në sportin tonë.

Me pak fjalë, nëse futbolli shqiptar shkoi në Europë në fazën finale ‘Francë 2016’-të dhe nëse atletika shqiptare ka kampionë dhe nënkampionë të kontinentit, edhe çiklizmi tashmë ka hyrë në Europë. Unë shpreh besimin se do të jetë një sukses i padiskutueshëm, sepse ne do të kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve që e garantojnë një gjë të tillë”, deklaroi njëshi i “dyrrotakëve” shqiptarë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb