Belgjika ka identifikuar katër raste të variantit të ri të coronavirusit i cili u zbulua në Mbretërinë e Bashkuar, thanë zyrtarët shëndetësorë për AFP.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, të katër rastet u zbuluan në fillim të muajit në rajonet veriore flamande, që kufizohen me Holandën, bazuar në deklaratën e zëdhënësit të ministrisë së shëndetësisë në Belgjikë, Jan Eyckmans.

Varianti i ri që u identifikua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, raportohet të jetë 70 për qind më i transmetueshëm, mirëpo jo edhe më i rrezikshëm.

Lidhur me këtë rast, shumë vende të botës kanë vendosur që t’i ndalojnë udhëtimet nga MB-ja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi kundër alarmit të madh për variantin shumë infektiv, duke thënë se kjo ishte një pjesë normale e evolucionit të një pandemie.

“Ne duhet të gjejmë një ekuilibër. Është shumë e rëndësishme të kesh transparencë, është shumë e rëndësishme t’i thuash publikut ashtu siç është, por është gjithashtu e rëndësishme të pranosh që kjo është një pjesë normale e evolucionit të virusit”, ka thënë shefi i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan në një konferencë online.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb