Analisti Fatos Lubonja tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se politika shqiptare nuk duhet të merret sot me largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, apo me shpalljen e tij “non grata” nga SHBA.

Për analistin Lubonja, problemi kryesor sot në Shqipëri është largimi nga vendi i 60 mijë fëmijëve, duke theksuar se është skandal të mos merresh me këtë çështje.

“Çështja për mua sot është, kemi një vend që ka njëmijë probleme, që ka një korrupsion të jashtëzakonshëm, dhe një qeveri që është mbështetëse e mafies, që po pastron paratë e pista. Në vend që ne të merremi me këtë çështje, që është primare, merremi me një njeri që u hoq, për korrupsion nga amerikanët, pra për korrupsion që vë në rrezik interesat amerikane. Unë shoh një parti, mazhorancën, që është parti që ka ndërtuar sistemin e korrupsionit dhe që vazhdon të fuqizohet, deri në atë pikë sa ka hyrë dhe krimi në Parlament dhe ka kapur shtetin. Këtu problemi është se a kemi ne një opozitë kundër kësaj mazhorance, apo lufta ndaj korrupsionit është thjesht mjet për pushtet për të eliminuar kundërshtarin. Më 2011, Edi Rama në opozitë nxori videon, ku dilte i korruptuar Ilir Meta.

U vërsulën njerëzit për të djegur kryeministrinë, por pas dy vitesh, më 2013, kur u bashkua me Ilir Metën, tha se këtu nuk është problem personash, por sistemi. Bashkëpunoi katër vite me Ilir Metën, pastaj e merr timon e drejton vetë dhe na ka sjellë në këtë gjendje ku jemi. Këtu kemi të bëjmë me përdorim të korrupsionit për luftë për pushtet. Është skandal që askush nuk flet për ata 60 mijë fëmijë që po ikin, por merren me fëmijët. Unë mendoj se problemi i vërtetë duhet të jenë këto 60 mijë fëmijë, që po ikin nga vendi. Të mos flasësh për këtë, por të merresh me Berishën, do të thotë t’i shërbesh këtij sistemi, berishizmit. Kemi ndërtuar një sistem korrupsioni, ku çdokujt mund t’i gjesh një gjë ta kapësh. Berisha ka rënë viktimë e berishizmit, si formë që inauguroi me Fatos Nanon, dhe tani po e pëson vetë”, tha analisti Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb