SERBI- Deklarata e institucioneve të Bashkimit Evropian që Kosova është një rast i veçantë dhe nuk mund të krahasohet me Katalonjën ka ngjallur shumë pakënaqësi në Serbi. Ivica Dacic, ministër i jashtëm serb ka “pyetur” nëse tani duhet të pritet edhe për një referendum në Preshevë.

“A është edhe Presheva rast i veçantë? Të gjitha janë raste të posaçme dhe specifike kur është në pyetje Serbia, tha Dacic, duke pasur për referencë referendumin e vitit 1992 të mbajtur në Preshevë.

Gjatë vitit 1991- 1992 në tre komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni. Më 16 shkurt të vitit 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përberë prej 96 delegateve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptaret e tri komunave : Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Me këtë deklaratë Dacic ka kërkuar nga BE-ja dhe nga ata që thonë që Kosova s’është rasti i njejtë me Kataloninë, të jenë më të qartë mbi të drejtën që Kosova gëzon për të qenë shtet i pavarur.

Gjithë këto reagime vijnë pasi zyrtarët serb kanë ngritur paralele në mes të Kosovës dhe Katalonisë- e cila të dielën që lamë pas mbajti referendum për shkëputje nga Spanja.

Pavarësia e Katalonjës pritet të shpallet brenda ditësh, me shumë mundësi që kjo të ndodhë të hënën.

Dacic ka akuzuar fuqitë botërore për standarde të dyfishta-sepse ato refuzojnë pavarësinë e Katalonisë por mirëpritën atë të Kosovës.

“BE asnjëherë nuk do ta pranojë që gaboi me njohjen e shtetësisë së Kosovës, mirëpo ai vendim do të ketë pasoja në të ardhmen. Kutia e Pandorës është hapur”, tha Dacic, përcjell Gazeta Metro.

Thuajse një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, katalonasit votuan pro shkëputjes nga Spanja. Ngjarje kjo e cila po përcillet me një vëmendje të veçantë në vendet e ish-Jugosllavisë.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb