Analisti i besimeve fetare dhe Mjeshtri i Madh, Ferdinand Samarxhi, ka folur sot në News24 për Festën e Ashures, një festë e besimtarëve bektashinj.

Ai ka shpjeguar historinë pas kësaj feste.

“Dita e Ashures është ditë simbolike ku besimtarët bektashianë, me drejtim nga tempulli që fatmirësisht është në Tiranë, kujtojnë atë që ndodhi në Qerbela.

Atje u luftua që foshnjat femra të mos vriteshin më, që jeta të barazohej, liria të ishte primare e jetës së kujtdo. Kjo është simfonia më e bukur e luftës që njerëzimi, luftëtarët e Qerbelasë luftuan për lirinë.

Ata që u udhëhoqën luftën, u tradhtuan nga paria e qytetit dhe ashurja nënkupton pikërisht këtë tradhti.
Liria nuk dhurohet por fitohet me gjak, ndaj është simbol i sakrificës”, u shpreh ai.

Samarxhi ka shtuar se është një fat i madh që epiqendra për besimtarët bektashinj në të gjithë botën, është pikërisht në Tiranë.

“Është një ngjarje e madhe. 800 milion njerëz i drejtojnë zemrat drejtë Tiranës. Siç krenohet Italia që ka Vatikanin, ne shqiptarët kemi një besim me një numër të madh besimtarësh, kemi një fat të madh, gjithë sytë u drejtuan sot nga ne. Është një ceremoni sublime.

Kjo ceremoni, vetë simboli për vdekjen e martirëve të tradhtuar, e bëjnë më ngadhënjyese këtë ditë. Është filozofia e një lufte të drejtë e të moralshme për vlerat e shoqërisë njerëzore”, u shpreh ai.

Në lidhje me Qerbelanë dhe atë se çfarë kjo i mëson njerëzimit, zoti Samarxhi u shpreh se na bën të kuptojmë që njerëzimi duhet të luftojë për demokraci, liri e emancipim.

“Qerbelaja na mëson shumë. Atë që kërkojnë populli sot, si në Ukrainë, ajo është një Qerbela tjetër, edhe ne e kaluam me diktaturën, por ishte e një natyre tjetër. Njerëzimi duhet të luftojë për të drejtën e të vërtetën.

Betejë e luftës për demokraci liri dashuri emancipim. Kjo është epopeja.

Kryegjyshi përcolli sot mesazhin që kjo ditë bëhet ngadhënjyese dhe e madhe dhe bektashinjtë dinë ta avokojnë më mirë se kushdo historinë.

Njerrëzit janë krijesë e Zotit që të menaxhojë universit, si zëdhënësin e tij në Tokë, njerëzit duhet të jenë bashkë për të punuar dhe ngadhënjyer.

Duke pasur udhërrëfyes Zotin njeriu bëhet më i mirë më human, mendon për tjetrin”, deklaroi ai.

Zoti Samrxhi foli edhe mbi faktin nëse ne si popull jemi aq tolerantë sa i përket çështjeve fetare siç pretendohet.

“Jemi shumë, pavarësisht se jemi një vend që dikur kemi rrezatuar e i kemi dhënë dritë njerëzimit kur njerëzit ende jetonin në fise, vinte cari i Bullgarisë pagëzohej në Kishën e Ballshit. Kemi qenë gjithmonë në bashkëjetesë dhe i kemi dhënë botës një thesar, që ata nuk e kanë ende. Që në fillim ishim njerëz që e donim Zotin”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb