TIRANE-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pritet të vizitojë ditën e hënë Gjilanin. Lajmin e ka konfirmuar shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu. “Në kuadër të Festave të Nëntorit, ditën e hënë, Gjilanin do ta vizitojë edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ku me këtë rast, Gjilani ndihet i nderuar nga kjo vizitë”, – tha ai.

Ndërkohë, dje, kreu i Kuvendit Meta, i shoqëruar edhe nga ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Gaiani, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, deputetë të qarkut e drejtues vendorë, inauguruan pasdite Hidrocentralin Vlushe, që u realizua nëpërmjet një investimi shqiptaro-italian prej 16 milionë eurosh. Më pas, Meta është ndalur në një nga ndërmarrjet fasone të prodhimit të këpucëve në Skrapar, ku është njohur me ecurinë e punës së këtij biznesi të ri. Meta i ka cilësuar këto dy investime si mjaft të rëndësishme për Skraparin, pasi tregohet qartë se po shfrytëzohen resurset e zonës në interes të rritjes ekonomike dhe të mundësive për punësimin. Më herët, dje, Meta ishte në Lezhë, ku vizitoi një kompleks blegtoral. Ai u shpjegoi fermerëve përfitimet dhe lehtësitë për të zgjeruar aktivitetin dhe për të hyrë në treg në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb