TIRANË- Pasi është hedhur shorti dhe janë përcaktuar këngët që do të këndohen në natën e parë dhe të dytë të festivalit të këngës, organizatorët e edicion të 53-të kanë vendosur edhe për prezantuesit e këtij viti. Kështu këtë edicion do ta prezantojë Turjan Hyska, Floriana Garo dhe Liberta Spahiu nga Kosova.

Patrizia Bocconi është skenografe e festivalit, ndërsa Marcelo Lazzeti, drejtor fotografie, të dy personazhe me emër dhe karrierë në RAI dhe jo vetëm.

Ndërkaq në sallën e orkestrës së RTSH-së vazhdojnë çdo ditë provat me 26 këngët konkurrente të cilat do të ngjisin shkallët e Pallatit të Kongreseve në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor. Si edhe në edicionet e kaluara, gjithçka në Festivalin e Këngës interpretohet live dhe grupi po përgatitet tashmë të kalojë në provat në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve.

Siç dihet të 26 këngët konkurrente janë ndarë në dy pjesë, nga 13 për secilën natë, ndërsa natën e tretë, më 28 dhjetor do të interpretohen 18 më të votuarat nga juria.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: