NGA ANISA YMERI

POGRADEC- Për 6 ditë, Pogradeci do të shndërrohet në kryeqendër të filmit, pasi në datat 14-19 Shtator rikthehet Festivali i Filmit Ballkanik dhe Artit Kulinar, i cili rrok edicionin e tij pestë. 100 janë filmat që do të projektohen në këtë edicion të festivalit, të realizuar prej 60 autorësh, kineastë nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Kosova, Turqia, Greqia dhe Shqipëria.

Kineastët e rinj marrin një rol të posaçëm këtë vit. Në konkurrim është shtuar kategoria e filmave realizuar nga studentët e shkollave të kinemasë në të gjitha vendet e Ballkanit të cilët do të mund të kenë një përballje. Gjithaq, në ditët e festivalit, Pogradeci shndërrohet në një shesh të madh xhirimit, falë ‘Ballkan mish-mash’, një risi e këtij viti kjo e cila do të bëjë bashkë ata që e duan filmin dhe duan të eksperimentojnë; bën bashkë profesionistë dhe amatorë, të cilët do të prodhojnë filma të shkurtër, ndërsa festivali përvijon projeksionin e filmave të kineastëve të Ballkanit, në këtë përballje të radhës.

Organizatorët e festivalit thonë se është një projekt ky i cili ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin midis vendeve të Rajonit, dhe këtë s’mund ta bëjë asgjë më mirë se arti. Të gjithë do të punojnë për filmat e njëri-tjetrit për të arritur prodhimin e 6 filma të shkurtër. Dhe pjesëmarrësit e ‘Ballkan Mish-Mash’, prej 11 shtatorit janë në Pogradec dhe kanë nisur aty punën për të mundur të kenë gjithçka më 19 shtator, kur është edhe dita e tyre, ajo e përballjes së produksioneve të tyre me publikun.

Me qëllim njohjen e kinemasë ballkanike por edhe afrimin e të rinjve me filmin, në ditët e festivalit, mbahen edhe dy seminare mbi kinemanë Ballkanike dhe një workshop me nxënës të qytetit të Pogradecit, për t’i qasur ata me filmin dhe teknikat e xhirimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb