NGA ARMIR MEHAJ*

FUSHË-ARRËZ- Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj ka surprizuar teksa u shfaq me një kostum kombëtar në Festivalin e Instrumentistëve të Vegjël, i cili zhvillon edicionin e tij të dymbëdhjetë në qytetin e Fushë-Arrëzit.

Zonja Malaj justifikon veshjen e saj, me thënien “siç është vendi bëhet Kuvendi” teksa vijon se me këtë veshje, të cilën e vishte për të parën herë, ajo kishte respektuar traditën e zonës, si një shenjë e mirënjohjes ndaj familjeve të Fushë-Arrëzit, të cilët kanë hapur dyert për të mirëpritur artistët e vegjël nga të gjitha viset shqiptare.

“Veshja ime sot synon të përcjellë dhe mesazhin se përtej faktit të pozicionit politik duhet edhe qasja sociale në mënyrë që të bëhemi më pranë njerëzve. Me këtë veshje ndjehem si një prej zonjave këtu, që përtej të përditshmes ëndërrojnë më të mirën për fëmijët e tyre. Kjo që unë sot mbaj unë është një vlerë kombëtare, element për të cilët shqiptarët duhet të jenë krenar që i kanë”, shprehet për News24 dhe Balkanweb zonja Malaj.

Festivali mbarëkombëtar i Instrumentistëve të vegjël zhvillohet në Fushë-Arrëz për tre  ditë me radhë, duke e kthyer qytetin e vogël verior në një vend pelegrinazhi për qindra  artistë nga mbarë trojet shqiptare.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: