Edicioni i 15 i Festivalit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut do të mbahet në datat 14-24 shtator. Projeksioni i filmave bëhet në ambientet e jashtme të Marubit, ato të kryeministrisë dhe Arkivit të Filmit.

Ndonëse në kushtet e pandemisë Kujtim Çashku vëren se edhe festivale si ai i Venecias po mbahen, për të mos humbur ritualin e traditat.

Kujtim Çashku, drejtor ekzekutiv i festivalit tha se “Nuk duam te humbim ritualet e traditat që konsolidojnë hartën kulturore europiane. Nuk ka karakter vetëm kultror por edhe politik. Kanë qëllim sensibilizim për shkeljen e të drejtave dhe për krimin”.

Mes 3500 aplikimeve janë përzgjedhur 41 filma, që kanë të bëjnë me temën e sivjetshme, për të drejtat e grave dhe fëmijëve.

Robert Wilton, ish ambasador, drejtues i Bordit të Festivalit, u shpreh se “Është temë e rëndësishme, jemi në një botë ku shkelen të drejtat e fëmijeve edhe në Shqipëri në mënyrë të tmerrshme. Ekziston dallim e pabarazi që shkon deri në dhunë mes grave e burrave”.

Edicioni i këtij viti mbështetet nga ambasada austriake në Tiranë, si një mënyrë për të ofruar qasjen e Vjenës politike mbi demokracinë.

Christian Steiner, ambasador i Austrisë në Tiranë tha para mediave se “Ne e duam festivalin. Ai është në fokusin e politikave tona, jo vetëm atyre kulturore, është një kombinim i artit, kulturës dhe fokusit që ne i vendosim të Drejtave të Njeriut”.

Në të gjitha edicionet, festivali ka përcjellë përmes dokumentarëve dhe filmave artistike rastet e shtypjes së lirive dhe të drejtave nëpër botë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb