FIER – Kreu i Qeverisë, Edi Rama, ka inspektuar vetë sot, ndarjen e ndihmave në Fier, një prej qarqeve të përmbytur në jug të vendit. Ai shkoi në fshatrat Bishan dhe Kashisht dhe ka garantuar se çdo dëm do të paguhet e madje edhe ka bërë humor me një fermer të djathtë.

“Ju të djathtëve ju gjeti bela e madhe. Nga e prisnit nuk ju erdhi, nga s’e prisnit po ju vjen. Edhe legalizime, edhe mbështetje për përmbytjet, edhe mbështetje për punët tuaja po ju vjen nga ne, pra nga s’e prisnit. Megjithatë, ti vëlla rri djathtas, se nuk kthehet burri me nje përmbytje,”- i tha Rama.

Kryeministri e bëri ndalesën e parë në pikën qëndrore të grumbullimit të ndihmave, e cila përbëhet nga 5 magazina të mëdha grumbullimi.

Në fshatin Kashisht, ai premtoi se shpërndarja e ndihmave do të vazhdojë në të gjitha zonat, deri sa të shlyhen plotësisht të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytja. “Ndihmat do të vazhdojnë prapë. Magazinat janë me të gjitha gjërat të siguruara. Vazhdojnë të furnizohen me të gjitha gjërat, qoftë në Vlorë, qoftë këtu, qoftë në Berat e Gjirokastër, do të vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë sa të jetë mbyllur jo përmbytja, por çdo dëm, jo vetëm dëmet nëpër shtëpia, por edhe dëmet në krerë, dëmet në prodhim që kanë qënë të mëdha në këtë zonë, një pjesë e infrastrukturës së prodhimit që është e shkatërruar, kështu që për ne këto janë detyrime, që ne nuk do t’i lëmë pa ju qëndruar një më një.

Duhet pak durim. Situata siç e shikoni është e ngatërruar me motin, jo vetem këtu, por në të gjithë rajonin dhe në evropë. Pashë një zonë në Itali që kishin ikur dritat prej 48 orësh dhe akoma po arrinin ti vënë në punë. Jemi në krye të detyrës për ju,”- theksoi ai.

Shemsi Prençi, Drejtori i emergjencave civile informoi se në pikën qëndrore, punohet përgjatë 24 orëve me koordinim të plotë të gjitha strukturave dhe se cdo gjë po funksioon më së miri

Nderkohë qe Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, falenderoi biznesin privat për ndihmën e dhënë në këtë emergjencë.

Gjatë ditëve të fundit, Kryeministri ka vizituar disa nga fshatrat e Vlorës dhe Fierit, për të ndjekur nga afër ndihmën që po iu jepet banorëve të dëmtuar.

BASHA: PËR BOSNJEN E SERBINË DHE 200 MIJË EURO, PËR FIERIN E VLORËN VETËM FJALË
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeopozitarit Basha, i cili i kërkon Ramës të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të caktojë buxhetin për ndihmën e të përmbyturve.

Ai thotë se për Fierin e Vlorën kryeministri i vendit ka pasur vetëm fjalë, ndërkohë që kujton, se një vit më parë për përmbytjet në Serbi e Bosnje qeveria shqiptare akordoi një fond prej 200 mijë eurosh.

“Leri shfaqjet me “faza” dhe “plane” që si ke bërë akoma. Shpall emergjencën dhe cakto buxhetin në ndihmë të të përmbyturve. Për përmbytjet në Serbi dhe Bosnje çele 200 mijë euro me vendim qeverie, për Fierin dhe Vlorën vetëm fjale, shfaqje dhe rrëmuje”, shkruan Basha në Facebook.

(ar.sh/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb