Banorët e Lazaratit në jug të Shqipërisë kanë frikë se do të paragjykohen dhe stereotipizohen në filmin e ri të kompanisë kanadeze Mercury Films, i cili pritet të dalë në qershor 2017.

Fshati i vogël fitoi famë botërore për shkallën e gjerë të prodhimit të kanabisit për thuajse një dekadë, kohë në të cilën ishte edhe jashtë kontrollit të policisë shqiptare.

Periudha e paligjshmërisë përfundoi në qershor 2014, kur më shumë se 500 policë të armatosur rëndë zbritën në fshat nga ajri dhe toka dhe dogjën plantacionet e marijuanës.

Ata shkatërruan gjithashtu drogën rezervë, kontrolluan shtëpitë, sekuestruan të gjitha armët dhe municionet që mundën të gjenin dhe arrestuan dhjetra banorë vendas.

Tani Lazarati do të vendoset edhe një tjetër herë në qendër të vëmendjes për drogën dhe luftën me policinë në një film të titulluar ” Djegia e Lazaratit”.

Me produksion të Issa Zaroui, Salim Zaroui, Marco Balsamo dhe Mark Crawford, aktori protagonist do të jetë italiani Gabriel Garko, ndërkohë që aktorë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Shqipëria do t’i bashkohen ekipit.

Të enjten, pas konferencës për shtyp të mbajtur në Tiranë për lançimin e filmit, Garko i tha gazetarëve se ai do të luajë rolin e një djali nga Lazarati, prindërit e të cilit janë vrarë pasi ishin të përfshirë në biznesin e drogës-ndërsa ai hakmerret pasi bëhet polic.

“Filmi sjell në vëmendje kurajon dhe shpresën në luftën kundër krimit dhe korrupsionit,” tha ai.

Megjithatë, një banor i Lazaratit i cili nuk dëshiron të citohet me emër i tha BIRN se fshatarët kanë frikë se filmi mund t’i përkeqësojë stereotipet ekzistuese për njerëzit e Lazaratit.

“Kemi frikë se fshati ynë do të paraqitet si një geto dhe banorët si kriminelë që lëvizin nëpër Lazarat me armë të rënda në duar. Kam dëgjuar se filmi do të flasë për prostitucionin dhe vrasje, që me aq sa di unë, asnjë nga fshati ynë nuk është marrë me krime të tilla,” tha ai.

Ai i tha BIRN se banorët e Lazaratit do të donin që producentët të filmit të shkonin në fshat dhe të flisnin me njerëzit-e madje të xhironin atje.

“Deri tani, ne nuk kemi parë asnjë prej atyre që të vijë të flasë me ne apo të xhirojë këtu. Kjo mund t’i jepte filmit një perspektivë vërtetësie dhe ta sillte atë më afër realitetit. Në të kundërt, do të jetë veçse një film aksion, që do të paragjykojë pa asnjë lidhje me realitetin,” tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: