Java e fundit e Final Four në “Abissnet Superiore” do të vendosë gjithçka për titullin kampion, teksa emocionet janë në kulm përpara dy sfidave finale që do të luhen të dielën në ora 19:00.
Përballjet direkte të këtij sezoni mes skuadrave finaliste premtojnë edhe një herë rivalitet të fortë dhe spektakël deri në minutën e fundit.
Në stadiumin “Air Albania”, Vllaznia dhe AF Elbasani do të përballen në një duel ku statistikat tregojnë ekuilibër të plotë. Katër ndeshjet e zhvilluara mes dy skuadrave gjatë sezonit 2025/26 kanë prodhuar fitore për secilën palë, me të dy ekipet që kanë treguar forcën e tyre si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë.
Përballjet direkte Vllaznia – AF Elbasani:
Vllaznia – AF Elbasani 1-0
AF Elbasani – Vllaznia 1-0
Vllaznia – AF Elbasani 2-1
AF Elbasani – Vllaznia 3-1
Në “Elbasan Arena”, Egnatia do të sfidojë Dinamo City në një tjetër ndeshje vendimtare. Dueli mes dy skuadrave ka qenë ndër më spektakolarët e këtij edicioni, me rezultate të larmishme dhe shumë gola të shënuar në kampionat, finalen e Superkupës dhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Në gjashtë përballjet e këtij sezoni, të dy ekipet kanë regjistruar fitore të rëndësishme, duke konfirmuar rivalitetin dhe nivelin e lartë të garës.
Përballjet direkte Egnatia – Dinamo City:
Egnatia – Dinamo City 0-0
Dinamo City – Egnatia 1-2
Egnatia – Dinamo City 1-3
Egnatia – Dinamo City 1-0
Dinamo City – Egnatia 2-0
Egnatia – Dinamo City 2-3
Dy sfida, katër skuadra dhe një mbrëmje që pritet të dhurojë emocione të mëdha për tifozët e futbollit shqiptar. Gjithçka mbetet e hapur përpara 90 minutave të fundit të sezonit, aty ku do të vendoset edhe skuadra kampione e “Abissnet Superiore” për edicionin 2025/26.
