Fundjava sjell emocionet e fazës “Final 4” të kampionatit “Abissnet Superiore”, aty ku nis edhe sprinti final për shpalljen e ekipit kampion të këtij edicioni. Dy sfidat e para të kësaj faze do të vënë përballë Vllazninë me Dinamo City-n (16 maj, ora 19:00, “Air Albania) dhe Elbasanin me Egnatian (17 maj, ora 19:00, “Air Albania) , në duele që premtojnë rivalitet dhe spektakël në fushë.

Vllaznia dhe Dinamo City do të përballen për herë të shtatë këtë sezon, duke konfirmuar rivalitetin e fortë mes dy skuadrave përgjatë gjithë edicionit futbollistik. Statistikat tregojnë një ekuilibër të plotë edhe në repartin ofensiv, me të dyja skuadrat që kanë shënuar të njëjtin numër golash në portat respektive në të gjitha përballjet sezonale.

Përballjet direkte Vllaznia – Dinamo City 2025/26
Dinamo City 3–1 Vllaznia
Vllaznia 1–0 Dinamo City
Dinamo City 0–2 Vllaznia
Vllaznia 0–0 Dinamo City
Dinamo City 1–1 Vllaznia
Vllaznia 0–1 Dinamo City

Po aq interesante pritet të jetë edhe sfida mes Elbasanit dhe Egnatias, që gjithashtu do të zhvillojnë përballjen e shtatë sezonale mes tyre. Verdheblutë kanë treguar efikasitet më të lartë në sulm, duke realizuar 6 gola ndaj Egnatias, ndërsa rrogozhinasit kanë shënuar 5 gola në ndeshjet e deritanishme mes dy ekipeve.

Përballjet direkte AF Elbasani – Egnatia 2025/26
Egnatia 1–1 AF Elbasani
AF Elbasani 1–0 Egnatia
Egnatia 2–2 AF Elbasani
AF Elbasani 0–0 Egnatia
Egnatia 1–1 AF Elbasani
AF Elbasani 1–1 Egnatia (2-4 pen.)

Pas një sezoni të gjatë, ndeshjet e para të fazës “Final 4” pritet të prodhojnë emocione të forta në fushën e lojës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb