Deputeti i PD Flamur Noka dhe dy ish-deputetët Gent Strazimiri dhe Arben Ristani kanë folur sot për mediat lidhur me depozitimin e firmave të delegatëve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Strazimiri deklaroi se mandatet për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar do të verifikohen më datë 11 dhjetor. Ai thotë se statuti përcakton se në këtë mbledhje, formohet një komision që verifikon mandatet.

Sipas Strazimirit, cilido që ka kuriozitet të shohë firmat, mund t’i shohë ato në zyrën e Edi Palokës, i cili është dhe kryetari i Këshillit Kombëtar, organit të dytë më të lartë në PD.

“Siç jeni në dijeni shumica absolute e PD kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Kuvendit më 11 dhjetor. Ky është organi më i lartë statutor që drejton PD. Ajo verifikohet sipas një procedure fikse, standarde. Vetë Kuvendi miraton komisionin e verifikimit të mandateve. Edhe nëse nuk vetëmblidhet Kuvendi nuk verifikohet nga askush tjetër, sepse të gjithë janë vartësit e tij. Si i tillë edhe Kuvendit i datës 11 dhjetor do të verifikohet nga komisioni që do të miratohet në sallë. Kemi paraqitur për transparencë numrin e firmave që janë mbledhur nga delegatët e PD. A ishte detyrim statutor? Jo. E kemi bërë për transparencë. I kemi dorëzuar në organin e dytë më kryesor të PD, Këshillin Kombëtar. Kush ka kuriozitetin mund të shohë në zyrën e kreut të Këshillit të PD. Kushdo e ka 20 hapa larg zyrën e zoti Paloka e të shohë janë mbledhur apo jo firmat, jo të verifikojë, atë e bën Kuvendit vetë”, tha Strazimiri.

Flamur Noka e cilësoi Bashën, ministrin e 20-të të Ramës dhe theksoi se i vetmi institucion legjitim ku mund të dorëzoheshin firmat ishte Kreu i Këshillit Kombëtar të PD.

“Pengkryetarit i kanë mësuar një gjë, që mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të sulmosh. Nuk ka demokrat në Shqipëri që nuk e di se kush është pengu, kush i ka shërbyer dhe i shërben Ramës. Nuk ka demokrat që nuk e di se kush i dogji dhe shkatërroi interesat e demokratëve. Të gjitha këto qartësisht e paraqesin zotin Basha një peng kryetar.

Qeveria jo 19 ministra, por 20, kë një ministër të shuarjes së opozitës, Lulzim Basha që paguhet nga qeveria e Edi Ramës. Është një pakicë, demokratët kanë shprehur vullnetin e tyre. Është një shumicë absolute. Mbrëmë janë dorëzuar 4200 firma, sot janë mbledhur dhe 150 të tjera, po vazhdojnë të tjerat. Të jeni të sigurt që shifrat do kalojnë 5000. Është një shumicë absolute. Paniku që e ka zënë duket tek histeria si flasin dhe sulmojnë. Asgjë nuk e ndal vullnetin e demokratëve, as pengkryetari, as ustai i tij që e ka kapur peng.
E para, z. Basha është palë, sekretari është mëkëmbësi dhe është palë. Shumica nuk mund të paraqitet në rresht tek pakica. Ne për transparencë ndaj demokratëve, nga shoqërisë shqiptare ne depozituam tek i vetmi institucion legjitim i kësaj force. Që nga sek i përgjithshëm dhe poshtë, sekretariati nuk janë zgjedhur konform statutit. Statuti i PD-së parashikon që sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët të zgjidhen me votim me dy kandidatë. Janë ilegjitimë sepse nuk janë zgjedhur me kandidatura alternative dhe nuk janë zgjedhur me votë të fshehtë. I vetmi institucion legjitim është Këshilli Kombëtar”, deklaroi Noka.

Më tej, Gent Strazimiri theksoi se edhe sikur në cilëndo prej zyrave të kësaj partie të kishin vajtur firmat, verifikimin e bën Kuvendi. “Gjëja e parë që bën është verifikimi mandateve. Cilido që thotë se verifikimi bëhet këtu gënjen në mënyrë të paturpshme. Firmat janë në godinë për transparencë dhe jo verifikim. Dhe sikur firmat të kishin shkuar në zyrën e Lulzim Bashës, ai nuk mund ta bënte verifikimin”, u shpreh Strazimiri.

Ish-deputeti Arben Ristani tha se organizimi për Kuvendet është ndryshe nga ai i partisë. Kuvendi sipas tij ka të drejtë të mblidhet nëse formon shumicën e nevojshme.

Po ashtu ai shtoi se janë parashikuar ndryshime në statut, ku një ndër ndryshimet do të jetë dorëheqja e kryetarit të partisë, në rast se humb zgjedhjet e përgjithshme.

Ristani: Organizimi i Kuvendit është ndryshe. Ka dy mënyra për mbledhjen e Kuvendit, një mënyrë mblidhet nga kryesia e partisë, e një formë tjetër nga anëtarët. Ndaj është e parashikuar që çdo Kuvend, sido në botë ndodh kështu. Kuvendet vetëkontrollohen, askush nuk i komandon Kuvendet. Ajo që ka ndodhur është në respekt të institucioneve të partisë, e për transparencë është dorëzuar në seli.

Keni deklaruar se brenda PD po punohet për statut të ri?

Ristani: Sigurisht nëse do të kishte mbledhje normale të Kuvendit organet e zgjedhura mund të punonin, por këto organe kanë qenë të pa interesuara për këtë gjë. Propozimet janë bërë të qarta për publikun. Janë propozime që kanë të bëjnë me njohjen e fraksioneve brenda PD. Kanë qenë propozime për të bërë primaret në PD.

Kemi parashikime të tilla që po punohet se kryetari i partisë të japë dorëheqjet kur humb zgjedhjet e përgjithshme dhe të rikonfirmohet kur humb zgjedhjet lokale. këto do të jenë risi për të gjithë politikën shqiptare, do i përkasin të ardhmes së Shqipërisë. PD zyrtare është shumica e anëtarëve të partisë, nuk ka PD zyrtare tjetër. Shumica është PD zyrtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb