“Ti nuk ishe i bukur me këmbët por shpirti yt luftarak vlente më shumë se kaq”, me këto fjalë zgjodhi Anchelotti ta uronte Gennaro Gatusso-n në ditëlindjen e tij të 40.

Duket se më në fund Milan ka filluar të japë frytet dhe kjo padiskutim është një meritë e Gatusso-s i cili ka transferuar shpirtin e tij luftarak te lojtarët e “djallit”. Gjigandët e “Seria A” në 10 ndeshjet e fundit nuk kanë humbur asnjë dhe kanë fituar 7, duke pësuar vetëm 4 gola. Fakte të cilat tregojnë se Milan në këtë fazë të dytë është një kundërshtar që do t’i hapë probleme kujtdo.

Po si arriti Gatusso të ‘ringjallte’ një Milan për të cilin pothuajse askush nuk kishte më shpresë këtë sezon?

Mjafton të kthehemi në deklaratat e para kur u emërua trajneri i këtij ekipi. Ndër të tjera Gatusso shprehej: “Do të jem makthi i lojtarëve deri në fund të sezonit”.

Nga veprimet e tij në ndeshjen e fundit por jo vetëm duket se italiani nuk e ka thënë aspak me shaka. Menjëherë pasi arbitri vërshëlleu fundin e ndeshjes kundër Sampdoria-s Gatusso i uronte futbollistët me mënyrën e tij të veçantë, me shpulla.

I pari që e ‘pësoi’ ishte mesfushori Montolivio. Pavarësisht se qëndroi në stol dhe nuk bëri gabime Montolivo mori një shpullë pas koke, që nga reagimi duket se nuk i pëlqeu aspak, por kjo pak rëndësi ka. Pas tij radhën e kishte turku Calhanoglu, i cili pati po të njëjtin fat, me ndryshimin që e mori me sportivitet.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: