E shtuna sjell një për ballje që mund të përcaktojë fatet e sezonit për Egnatian. Kampionët në fuqi presin në shtëpi Flamurtarin në një ndeshje që cilësohet jetike për objektivin madhor: mbajtjen gjallë të shpresave për titullin kampion. Skuadra e drejtuar nga trajneri Tetova vjen në këtë sfidë me presionin e rezultatit, por edhe me besimin se fati i kampionatit është ende në duart e tyre.

Çdo hap fals në këtë fazë të sezonit mund të jetë fatal, ndaj trepikëshi ndaj Flamurtarit shihet si një domosdoshmëri absolute. Përballë do të jetë një Flamurtar që nuk ka asgjë për të humbur dhe që mund të bëhet shumë i rrezikshëm nëse lihet hapësirë. Kjo e bën sfidën edhe më të komplikuar për kampionët, të cilët duhet të tregojnë maturi, por edhe vendosmëri. Për Egnatian, kjo nuk është thjesht një ndeshje e radhës. Është një finale e vogël, një moment ku gabimet nuk lejohen dhe ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Fitorja do të mbante gjallë ëndrrën për titull, ndërsa çdo rezultat tjetër do ta vështirësonte ndjeshëm rrugën drejt mbrojtjes së kurorës.

MUNGESAT – Megjithatë, Egnatia nuk do të jetë e plotë në këtë takim delikat. Në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës u rikthye kapiteni Albano Aleksi, pasi kishte shlyer pezullimin, duke i dhënë stabilitet dhe eksperiencë mesfushës. Por fati nuk ka qenë në anën e tij: pas atij rikthimi, Aleksi ka plotësuar sërish numrin e kartonëve të verdhë dhe do të detyrohet të mungojë përballë Flamurtarit. Një goditje tjetër për kampionët është edhe mungesa e Zamig Alijev, i cili gjithashtu ka plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të jetë në dispozicion. Dy mungesa të rëndësishme që prekin boshtin e skuadrës dhe që padyshim do të ndikojnë në mënyrën se si Egnatia do ta përballojë këtë sfidë.

Pavarësisht këtyre problemeve, trajneri Tetova mbetet i vendosur për të gjetur zgjidhjet e duhura. Ai pritet të besojë te lojtarët që ka në dispozicion, duke kërkuar maksimumin nga secili për të mbuluar boshllëqet e krijuara. Alternativat ekzistojnë, por mbetet për t’u parë nëse ato do të jenë në lartësinë e pritshmërive në një ndeshje me kaq shumë peshë. Stafi teknik ka punuar gjatë gjithë javës për të rregulluar detajet taktike dhe për të ruajtur balancën në fushë, sidomos në mungesë të elementëve kyç. Pritet që Egnatia të shfaqet me një qasje agresive që në minutat e para, duke kërkuar të marrë kontrollin e lojës dhe të shfrytëzojë faktorin fushë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb