Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj janë përplasur në komisionin e Ekonomisë, për instilacionin e quajtur “Kopshti i Edenit” që pritet të ndërtohet në ambientet e Kryeministrisë dhe do të kushtojë mbi 3 milionë euro.

Leskaj tha se ministren duhet ta vrasë ndërgjegjja kur në kohë krize dhe kursimesh, alokon fonde për shpenzime luksi.

“Zonja ministre siç flisni ju si luftëtare e qeverisë dhe partisë e meritoni postin për këtë. Po ju borxhin publik e keni mbi 100%. Ju pyetjeve tona nuk u jepni asnjëherë përgjigje të saktë, as opozitës dhe as pozitës. Jo vetëm ne që nuk na dëgjoni kur përpiqemi të japim ide për krizën ekonomike, por edhe pjesën tuaj. Unë ju pyeta për instilacionin, në ndërgjegjen profesionale si e vlerësoni ju, jo për ndërgjegjen politike, se e keni 10 me yll ju. Se ju pyeta si e keni ju këtë investim 4 milionë euro në kohë kursimesh? Sot ju që keni pataten e nxehtë të menaxhimit të financave publike, të borxhit publik duhet të ndjeni një prekje në ndërgjegjen profesionale, si nënë si vajzë, si qytetare. Ju duhet të shqetësoheni. Ju jo vetëm 3 milionë euro, po as 3000 mijë dhe 30 mijë duhet t’iu prekin në ndërgjegje”, tha deputeti i PD.

Por ministria nuk zgjodhi t’i përgjigjej pyetjes, duke iu kthyer Leskajt me akuza politike për t’u mbrojtur edhe nga argumentet e opozitës përkundrejt rritjes së borxhit publik.

“Në radhë të parë nuk jam këtu të gënjej askënd dhe të bëj lojëra fjalësh me askënd. Më duket krejt e kundër që deputetët e opozitës, të gjitha nismat që qeveria ka marrë për krizën ekonomike, nuk ka patur asnjë fjalë pozitive dhe vetëm baltë. Sa i përket borxhit, ato fshehje të detyrimeve të prapambetura i bënte qeveria juaj. Ne nuk e bëjmë. Të dhënat tona fiskale janë të dhëna që u referohen të gjitha mekanizmave ndërkombëtarë”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb