“Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin e BSH prej 3% nga viti i kaluar si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare”. Kështu deklaroi sot Guvernatori Gent Sejko në konferencën e përmuajshme.

Ai tha më tej se inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë në 3 mujorin e katërt duke arritur në 3.7 % në muajin dhjetor 2021 dhe sipas tij, rritja e çmimeve dhe shtrenjtimi i naftës rritën inflacionin në 2021 dhe ishte përtej parashikimeve.

“Informacioni i ri i marrë në analizë tregoi zgjerimin e shpejtë e të qëndrueshëm të aktivitetit të brendshëm ekonomik gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe përshpejtimin e inflacionit në tremujorin e katërt. Rritja e inflacionit është shkaktuar si nga faktorë të qëndrueshëm, të lidhur me rritjen progresive të kërkesës, të punësimit dhe të pagave, ashtu edhe nga faktorë tranzitorë, të lidhur me rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Sejko Ok (2)
Sejko Ok (2)

Projeksionet tona sugjerojnë rritje të mëtejshme të ekonomisë në vitet në vazhdim. Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare. Megjithatë, ndikimi i tyre në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë vitit 2022. Më tej, inflacioni pritet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv gjatë vitit 2023, në pasqyrim të balancimit të kërkesës me ofertën dhe të rritjes së punësimit dhe pagave në linjë me produktivitetin.

Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend”, deklaroi Sejko.

Në mbledhjen e datës 2 shkurt 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko bëri sot publike vendimet e marra

Ai tha se Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për miratimin e vendimit “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”.

Në bazë të këtij vendimi, pezullohet deri në fund të vitit 2022, shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, dhe të fitimit të realizuar gjatë vitit 2021.

Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

Po kështu Këshilli Mbikëqyrës vendosi të miratojë rregulloren “Për regjistrin publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave”.

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i subjekteve dhe të dhënave që do të përmbajë regjistri publik i ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe agjentëve të tyre.

Ky akt rregullativ del në zbatim të dispozitave të reja të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, të cilat parashikojnë detyrimin për përcaktimin me akt nënligjor të formës dhe përmbajtjes së regjistrit publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave.

FJALA E PLOTË
Sot, në datën 2 shkurt 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë tregoi zgjerimin e shpejtë e të qëndrueshëm të aktivitetit të brendshëm ekonomik gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe përshpejtimin e inflacionit në tremujorin e katërt. Rritja e inflacionit është shkaktuar si nga faktorë të qëndrueshëm, të lidhur me rritjen progresive të kërkesës, të punësimit dhe të pagave, ashtu edhe nga faktorë tranzitorë, të lidhur me rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Projeksionet tona sugjerojnë rritje të mëtejshme të ekonomisë në vitet në vazhdim. Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare. Megjithatë, ndikimi i tyre në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë vitit 2022. Më tej, inflacioni pritet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv gjatë vitit 2023, në pasqyrim të balancimit të kërkesës me ofertën dhe të rritjes së punësimit dhe pagave në linjë me produktivitetin.

Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend.

[ Në vijim, më lejoni të sqaroj më në detaje konkluzionet kryesore të Raportit Tremujor, pritjet tona për të ardhmen, si dhe arsyet që motivuan vendimin e sotëm. ]

***

Informacioni i ri i muajve të fundit ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona, ndonëse goditjet e ofertës po provohen të jenë më të forta dhe më të qëndrueshme se vlerësimet fillestare.

Në nivel global, rimëkëmbja e ekonomive nga goditja e pandemisë është e fortë, por e pabarabartë midis vendeve. Po ashtu, ajo vazhdon të karakterizohet nga probleme në zinxhirët e furnizimit dhe mungesa në fuqinë punëtore. Kërkesa e fortë për mallra e shërbime, kufizimet në ofertë dhe çmimet e larta të energjisë elektrike kanë shtyrë lart inflacionin global. Në këtë kontekst, perspektiva e politikës monetare globale është drejt normalizimit, çka është reflektuar edhe në sjelljen e tregjeve financiare ndërkombëtare.

Inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë gjatë tremujorit të katërt, duke arritur vlerën 3.7% në muajin dhjetor. Inflacioni është i pranishëm në çmimet e thuajse të gjithë artikujve të shportës së konsumit, çmimet e të cilëve përcaktohen lirisht në treg. Megjithatë, përshpejtimi i tij në tremujorin e katërt u diktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara dhe të naftës.

Në terma makroekonomikë, rritja e shpejtë e inflacionit në tremujorin e katërt pasqyroi si veprimin gradual e të qëndrueshëm të faktorëve të kërkesës, ashtu dhe ndikimin e fortë – por tranzitor – të goditjeve të ofertës. Nga njëra anë, rritja e vazhduar e kërkesës për mallra e shërbime, është shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave, si dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Kjo ecuri është pasqyruar në trendin rritës të inflacionit bazë gjatë vitit 2021. Nga ana tjetër, rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, të lëndëve energjetike, të kostove të transportit dhe të mallrave bazë në tregjet botërore, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e inflacionit në tremujorin e katërt.

Aktiviteti i brendshëm ekonomik po zgjerohet me ritme relativisht solide. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 10.4% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Informacioni i disponuar sinjalizon një zgjerim të mëtejshëm të saj në tremujorin e katërt. Analizat tona tregojnë se vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend ka kaluar tashmë nivelin e tij të para-tërmetit e para-pandemisë, si në nivel agregat dhe në nivel sektorial, duke ilustruar rimëkëmbjen e shpejtë të kërkesës dhe ndikimin e pakët strukturor që këto goditje kanë lënë në strukturën prodhuese të ekonomisë. Në tërësi, bilancet e sektorit privat mbeten të shëndetshme, sikundër ilustrohet nga rritja e depozitave dhe rënia e kredive me probleme, ndërsa ecuria e besimit të biznesit është konsistente me një zgjerim të mëtejshëm të prodhimit.

Rimëkëmbja e kërkesës agregate pasqyroi reduktimin e kufizimeve, përmirësimin e besimit, përmirësimin e ekonomive partnere dhe mbështetjen e vazhduar me politika ekonomike stimuluese. Profili i rritjes evidenton zgjerimin e konsumit dhe investimeve private, të shpenzimeve publike dhe të eksporteve neto. Në veçanti, rritja e shpejtë e eksporteve në tremujorin e tretë të vitit 2021 u diktua nga përmirësimi i aktivitetit të turizmit.

Rritja e ekonomisë ka sjellë përmirësimin e treguesve të tregut të punës. Si punësimi dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e aftë për punë kanë ardhur në rritje, ndërkohë që norma e papunësisë zbriti në 11.3% në tremujorin e tretë. Paralelisht me to, paga mesatare u rrit me 6.9% në nivel ekonomie dhe me rreth 8% për sektorin privat.

Stimuli monetar e fiskal ka dhënë një mbështetje të rëndësishme në procesin e rimëkëmbjes, si në terma të rritjes ekonomike ashtu dhe në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar.

Politika monetare stimuluese ka kontribuar nëpërmjet uljes së kostos së huamarrjes dhe rritjes së kreditimit në ekonomi. Normat e interesit të kredisë për bizneset dhe individët kanë mbetur në nivele të ulëta dhe kursi i këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore ka qenë i qëndrueshëm.

Kushtet e favorshme financiare, rritja e kërkesës dhe përmirësimi i kushteve jofinanciare të ofertës, kanë nxitur zgjerimin e portofolit të kredisë për sektorin privat. Ky portofol shënoi një rritje mesatare rreth nivelit 9.9% gjatë tremujorit të katërt, çka përbën dhe vlerën më të lartë të këtij treguesi prej vitit 2011. Kredia bankare i ka shërbyer financimit të konsumit e të investimeve dhe mbulimit të nevojave për likuiditet, si të bizneseve dhe të familjeve. Kredia në lekë ka mbajtur ritme relativisht të larta rritjeje, duke pasqyruar efektivitetin e politikës monetare dhe duke zbutur rreziqet e kursit të këmbimit në stabilitetin financiar.

Trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të kredisë sugjerojnë një ecuri të mirë të saj edhe në të ardhmen. Këto pritje mbështeten nga kërkesa e lartë, bilancet e shëndosha të sektorit bankar, kushtet e lehtësuara të kreditimit dhe, në veçanti, ulja e rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia e mëtejshme – në nivelin 5.65% – e raportit të kredive me probleme në fund të dhjetorit 2021.

Politika fiskale ka dhënë një kontribut pozitiv në rritjen e kërkesës agregate gjatë vitit 2021, nëpërmjet rritjes së investimeve dhe konsumit publik. Megjithatë, stimuli fiskal ka ardhur në zbehje gjatë tremujorit të katërt, në pasqyrim të ngadalësimit të shpenzimeve dhe të rritjes së shpejtë të të ardhurave buxhetore.

Stimuli fiskal pritet të reduktohet gjatë viteve në vijim. Buxheti i vitit 2022 sugjeron se politika fiskale ka marrë një kthesë drejt normalizimit në vitin 2022, ndërkohë që ritmi i konsolidimit të financave publike pritet të përshpejtohet në vitet në vijim. Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes ekonomike e bën të domosdoshme kthimin e vëmendjes drejt reduktimit të borxhit publik. Ky kurs ndihmon sekuencimin e duhur të procesit të normalizimit të politikave ekonomike dhe rrit qëndrueshmërinë fiskale në afatin e gjatë.

***

Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim. Rritja e aktivitetit pritet të mbështetet si nga kërkesa e brendshme dhe nga ajo e huaj, duke pasqyruar kushtet e favorshme të financimit, përmirësimin e besimit dhe të bilanceve të sektorit privat, si dhe rritjen e kërkesës në ekonomitë partnere. Përkundrejt niveleve të larta të vitit 2021, normat e rritjes ekonomike pritet të vijnë në reduktim gjatë vitit 2022 e në vazhdim. Megjithatë, zgjerimi i kërkesës pritet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar rritje të punësimit në linjë me ofertën e tregut dhe rritje të pagave në linjë me objektivin tonë të inflacionit. Po ashtu, Banka e Shqipërisë vlerëson se zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime do të mundësojë rritjen e pothuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë, ndonëse disa prej tyre do të përballen me kosto të rritura për produktet bazë dhe ato energjetike.

Inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektivin tonë gjatë vitit 2022, në pasqyrim të goditjes që vjen nga çmimet e rritura në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, kjo goditje pritet të ketë efekte të përkohshme. Analizat tona dhe të institucioneve ndërkombëtare sugjerojnë se tregjet do të normalizohen gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe se efekti i goditjeve të huaja në inflacionin shqiptar do të vijë në rënie.

Inflacioni parashikohet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin 3%, duke filluar nga viti 2023. Kthimi dhe stabilizimi i inflacionit rreth objektivit do të mbështetet nga reduktimi i goditjeve të ofertës dhe nga balancimi i mirë i kërkesës dhe ofertës në ekonominë shqiptare.

Megjithatë, balanca e rreziqeve rreth inflacionit mbetet e zhvendosur për lart. Rreziqet e kahut të sipërm burojnë kryesisht nga mundësia e një rritjeje më të shpejtë apo më të gjatë në kohë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, një trupëzim i tyre tek pritjet inflacioniste, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal. Rreziqet e kahut të poshtëm lidhen me një ndikim të mundshëm negativ të pandemisë në aktivitetin ekonomik.

***

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për mbështetjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2023.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
të lërë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimi i skenarit bazë – ai i konsolidimit të mëtejshëm të rimëkëmbjes, i vijimit të rritjes graduale të presioneve të brendshme inflacioniste dhe i frenimit të goditjeve të ofertës – do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë vitit 2022. Ky normalizim pritet të fillojë në muajt në vijim dhe të vijojë në mënyrë graduale gjatë horizontit afatmesëm. Nëpërmjet tij, Banka e Shqipërisë do të synojë respektimin e objektivit tonë të inflacionit dhe do të krijojë premisa për një rritje më të qëndrueshme ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimi i skenarëve të rrezikut do të kërkojë një rishikim të qëndrimit të politikës monetare, në formën e përshpejtimit të procesit të normalizimit të politikës monetare apo të shtyrjes në kohë të tij.

Në çdo rast, Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi i politikës monetare do të jetë tërësisht në linjë me respektimin e objektivit tonë të inflacionit në afatin e mesëm dhe do të ofrojë mbështetjen e duhur për konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb