UASHTINGTON – Delegacioni i Kosovës, në përbërje të të cilit ishin Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, përfunduan takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat po zhvillohen në Uashington. Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së, delegacioni i Kosovës ka zhvilluar takime edhe me zëvendësdrejtorin e FMN-së, Min Zhu, zëvendëspresidenten e BB-së për Evropë dhe Azi Qendrore, Laura Tuck, drejtorin e Departamentit për Evropë në FMN, Paul Thomsen, drejtoreshën për Evropën Juglindore, Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Ellen Goldstein, Ibrahim Canakci, drejtor ekzekutiv i konstituencës në FMN pjesë e të cilës është Kosova, si dhe me Franc Godts, drejtor ekzekutiv i konstituencës në Bankë Botërore pjesë e të cilës është Republika e Kosovës.

Delegacioni i Kosovës gjithashtu ka marrë pjesë në takimet e konstituencës në FMN dhe BB. Përveç takimeve me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, Hoti dhe Hamza kanë zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, homologë të vendeve të ndryshme si dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare. Gjatë takimeve është diskutuar rreth zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, adresimit të sfidave të ndërlidhura me këtë fushë, asistencës teknike dhe çështjeve tjera të ngjashme. Gjithashtu, është vlerësuar progresi i arritur në Kosovë deri më tani si dhe janë dhënë zotime nga të gjitha këto institucione për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme për Kosovën.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: