Paraprakisht, si ekspert, dëshmitar apo kontribues teknik në reformat e sistemit të sigurisë kombëtare si dhe në 30 vjet rrugëtim drejt/pas anëtarësimit në NATO (1993-2023) dëshiroj të shpreh konsiderata dhe rekomandime strategjike rreth përpjekjeve të RSh për ngriten e Forcës Vullnetare Rezervë (FVR).

Po ashtu, që në fillim të herës më duhet ta theksoj se është një ngjarje e vonuar por njëkohësisht e domosdoshme për peshën në fushën e reformave Euro-Atlantike në FA si dhe modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes kombëtare.
Them e vonuar pasi në dijeninë time, besoj më shumë se modeste, është një “Projekt – Ide” që të paktën 20 vitet e fundit ka “mbetur në sirtaret e tallavasë politike”.

Thënë këtë, padyshim meriton të komplementohet Ministri Peleshi, i cili ka: “sigurisht privilegjin dhe meritën që jo vetëm po e kurorëzon këtë përpjekje serioze, por edhe për: “arritjen e buxhetit të mbrojtjes 2 %; në dyfishimin e pagave të ushtarakëve; rikthimin e një profesionisti elitar në krye të Forcave Detare; modernizimin e kapaciteteve operacionale, të planifikimit dhe cilësinë e bashkëpunimit me NATO-n”.

Gjithashtu nuk mund të mos themi, që fryma paraprake nga të dy anët e “llogoreve të politikës së ditës si dhe komentet/gjella që po i serviret publikut nga opinionistët e gjithëditur”, në shumicë nuk janë as për të qarë, as për tu shqetësuar, por thjesht irracionale për të mos thënë cinike në raport me domosdoshmërinë kritike që kanë forcat e armatosura për të patur si kapacitet të saj edhe forcat vullnetare rezervë.

Më qartësisht për këdo “shtetar të emëruar për tu vetë-poshtëruar apo sekserë të punësuar në kuvend me vulën e skuth-Kryetarit” që janë tramaksur se mos i vejë natën fleta e zborit, kam një përgjigje relaksuese: “flini rehat, pra kthehuni në krahun tjetër, se nuk ka dhe nuk ka për të patur asgjë të tillë”. Për më qartësisht nuk bëhet fjalë as për 2 milion rezervist (pra gjithë popullin ushtar ose kamikaz), por për një forcë modeste në numra, pra rreth 20 % e forcës aktive ose pak më shumë se 2000 personel.

Për më tepër që ky projekt nuk është shpikje qesharake (si fitoret e Ali komikut të Bagdadit apo libri me fitoret turpëruese të Lulit të Tiranës) por është një qasje e përbotshme, që aplikohet nga 31 vendet e NATO-s si dhe nga 194 shtete të njohura nga OKB-ja, përfshi Islandën, e cila për shkak të një marrëveshje speciale me SHBA nuk ka forca aktive !

Po ashtu, është edhe një qasje e përjetshme, pasi në të gjitha kohët dhe format e shtetit, asnjë vend, qoftë perandori, mbretëri, demokraci apo regjim diktatorial nuk mundet kurrësesi të mbajë 100 % forca aktive për të gjithë skenaret e kërcënimeve apo ambicjeve.

E thënë edhe më qartë, me zyrtarizimin e këtij projekti, R.Sh i bashkohet një përqasje moderne të konfirmuar edhe në doktrinën e NATO-s për planifikimin, ngritjen si dhe përdorimin e përshkallëzuar të kapaciteteve dhe të fuqisë ushtarake

Së dyti: kush ështe historia, çfarë përfaqëson, eksperiencat, strukturat dhe misioni i forcës vullnetare rezervë ?
Përkufizimi në Wikipedia: “një forcë vullnetare rezervë është një komponent ushtarak i shtetasve të një vëndi që i bashkohet vullnetarisht forcave të armatosura, duke kombinuar karrierën civile edhe një detyrë ushtarake me kohë të pjesshme”.

Historikisht, forca rezervë ka lindur pas disfatës së Prusianëve në betejën e Jena-Auerstedt-it, dhe me nënshkrimin e traktatit të Tilsit, në 9 korrik 1807, kur Napoleoni detyroi Prusinë të mos kishte një ushtri më të madhe se 42.000 vetë. Në këto kushte, reforma e quajtur Krumpersystem, e propozuar nga reformisti ushtarak prusian Gerhard von Scharnhorst, reflektoi me zgjuarsi duke trajnuar mbi baza tremujore një numër rekrutësh që nuk e kalonin shifrën e sipërcaktuar, por që në rast nevoje, përbënin një kontingjent ushtarak shumë herë më të madh. Ky koncept u përmirësua gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore, si dhe më tej u ngrit në sistem të bazuar në specifikat e çdo vendi.

Pas Luftës së Ftohtë (1990), mjedisi strategjik i sigurisë, në rrafshin global, rajonal dhe kombëtar u imponua nga një ndryshim i ndjeshëm i natyrës së rreziqeve dhe konflikteve. Gjatë këtyre tre dekadave përjashto rastin e sulmit neo-Nazist të Rusisë-Putiniste ndaj sovranitetit të Ukrainës: “kërcënimi kryesor për paqen dhe sigurinë nuk ka ardhur nga ndonjë konflikt i formës tradicionale ndërmjet shteteve, por nga rreziqe asimetrike, përfshi edhe krizat e brendshme të shteteve të dështuara, krimin e organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar” !

Për rrjedhojë, ky ndryshim në natyrën e konflikteve, u shoqërua me shkurtime kritike në forcat e armatosura si dhe te buxhetet e mbrojtjes. Në shumicën e vendeve, përfshi RSh u kryen reforma radikale që synonin kalimin nga shërbimi mbarë popullore (popullit-ushtar) në shërbimit të detyrueshëm aktivë si dhe forca të mbështetura nga një komponent rezervë vullnetare. Kjo tendencë u bë më e ndjeshme në vendet e vogla e me resurse të kufizuara.
Për më tepër, forca rezervë, janë bërë gjithmonë e më shumë pjesë e spektrit të operacioneve humanitare në mbështetje të paqes, përfshi ato brenda vendit në rastet e emergjencave civile, ndërsa pritet që në dekadën e trete të shekullit të XXI-të angazhimi i tyre të jetë akoma më i madh.

Forca rezervë është një forcë që përbëhet nga personel oficer, nënoficer dhe ushtarë që bashkohen me një kontratë vullnetare në forcat e armatosura për të shërbyer vetem në një kohë të përcaktuar (max 45 ditë) duke kryer detyra të përcaktuara në ligj.

Sigurisht forca rezervë vullnetare është më pak e kushtueshme se forca aktive, sepse ajo aktivizohet në kohë të pjesshme gjatë vitit. Ndërsa për specialitete dhe detyra të caktuara, ajo është edhe më cilësore edhe se vetë forca aktive. Kjo ka bërë që vënde të ndryshme, ta shikojnë forcën rezerve vullnetare si një opsion të leverdisshëm të reformës në forcat e armatosura.

Në disa vende, edhe shërbimi ushtarak aktiv dhe edhe në rezervë, mbetet akoma i detyrueshëm, ndërsa në shumë vende të tjera, si shërbimi ushtarak në forcën aktive ashtu edhe shërbimi ushtarak në forcën rezervë është tërësisht vullnetar.

Në rastin e parë, shërbimi i detyrueshëm rezervë është karakteristikë e vëndeve si Suedia, Finlanda, Izraeli, etj, të cilët kanë probleme të konflikteve historike dhe ushtarake me fqinjët.
Në rastin e dytë, shërbimi vullnetar rezervë është tipar i vendeve që relativisht janë çliruar nga problemet e konfrontimit tradicional. Ky shërbim aplikohet konkretisht me pjesëmarrje në operacion në shumicën e vëndeve të NATO-s dhe BE-së si SHBA, Angli, Kanada, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Spanjë, Slloveni, Hungari, Kroaci, etj.

Si shëmbull, forcat Kanadeze në Afganistan, përfshinin mbi 30 % komponent rezervë, të dislokuar në Kandahar për të shërbyer atje 6 deri 9 muaj. Për më tepër, një pjesë e rezervistëve në bashkëpunimin Civil-Ushtarak ose në operacionet e veçanta janë rezervistë dhe kanë aftësi më të mira se forcat aktive.

Ndërsa në disa vende, si në SHBA, Angli, etj, forcat rezervë vullnetare përbëhen kryesisht nga ish-ushtarakë të shërbimit aktiv profesionist pas daljes së tyre në rezervë. Ky detyrim për të shërbyer në përbërje të rezervës vullnetare parashikohet qysh në kontratën e hyrjes së tyre në shërbimin aktiv të shumë vendeve të 31 vendeve të Aleancës. Po ashtu, në vendet e NATO-s, rezervistë mund të jenë edhe nga shoqëria civile, të cilët dëshirojnë vullnetarisht të kontribuojnë në FA.

Kush mundet të jenë raportet mes forcës aktive dhe Rezerviste ? Nga 31 vende anëtare të NATO-s, më shumë se 20, si p.sh Gjermani, Itali, Greqia, Bullgaria, Polonia, Spanja, Portugalia, vendet Balltike etj, numri i forcave rezerve është shumë më i madh se ai i forcave të rregullta.

Ndërsa në SHBA njësitë luftarake rezerviste jane atashuar në Gardën Kombëtare. Me rreth 20 % të njësive të Ushtrisë së SHBA-se dhe 5,3 % të buxhetit të saj, forcat rezervë sigurojnë rreth 50% të mbështetjes së luftimit në operacione.

Një avantazh tjetër është se ata janë shumë më pak të kushtueshëm se forca aktive, gjë që lidhet me kohën e pjesshme të shërbimit të tyre, dhe vetëm me nevojat specifike të përdorimit të tyre. Gjithësesi forca vullnetare rezerviste nuk mund të përdoren për të gjithë spektrin e misionit të Forcave të Armatosura.

Sa mund të përdoret rezerva vullnetare? Duke eksploruar eksperiencat e vëndeve të tjera, për rastin e vendit tonë: “nuk bëhet fjalë për të rekrutuar ushtarë nga shoqëria civile për të plotësuar togat apo kompanitë e FA, apo të ngjashme të nivelit bazë, por vetëm për plotësimin me ato kapacitete të nevojshme cilësore që ose kemi me pakicë, ose nuk kemi fare në FA ose që na duhen në periudha të caktuara”.

Kush mund të jetë misioni i forcave Rezervë ? Teorikisht, spektri i misionit të forcave rezervë mund të jetë gjithëpërfshirës, pra nga ato paqe-ruajtëse deri në luftarake, por prioritet mbeten operacionet në mbështetje të paqes të drejtuara nga NATO/BE/OKB, si dhe në emergjencat civile kombëtare.

Së treti: disa konsiderata dhe rekomandime strategjike për një forcë vullnetare rezervë të FA të Shqipërisē ?
Na duhet ta qartësojme edhe me tej se: “nuk bëhet fjalë për nostalgji mbi forcën rezervë klasike, dhe aq më shumë, nuk bëhet fjalë fare për konceptin e forcës rezervë të sistemit komunist të mbrojtjes me forcat e veta të çdo pëllëmbe të territorit dhe ku çdo qytetar ishte presupozuar ushtar. Sot ky model aplikohet nga Koreja e Veriut dhe ndoshta Xhibudi.

Përkundrazi, mbas anëtarësimit në sistemin e mbrojtjes kolektive (NATO), RSh ka detyrimin të aplikojë një model të ri të forcës rezervë vullnetare në kushtet e mjedisit të ri të sigurisë, pra një forcë e arsyeshme, e leverdishme dhe e (shumë) përdorshme në operacionet brenda dhe jashtë vendit.

Forca e ardhshme rezervë shqiptare duhet të përfitojë nga eksperienca më e mirë e vëndeve të Aleancës. Sigurisht do te jetë një forcë e vogël, e bazuar në prioritete të specializuara, e leverdishme dhe e gatshme për mbështetjen e forcës aktive profesioniste.

Normalisht, nuk mund të pritet as planifikohet që komponenti i ardhshëm rezervë të kryejë të gjitha misionet dhe detyrat që kryejnë forcat profesioniste aktive, por Ato mund të kryejë me shumë sukses një pjesë të detyrave të tyre, pse jo me cilësi edhe më të lartë se forca aktive, sidomos ato në fushën e emergjencave civile.

Pak fjalē mbi përvojēn e shpërdoruar Roster. E përmenda që në pjesën e hyrjes, pra edhe pse e vonuar ky projekt nuk është shpikje por kurorëzim me sukses i nje përpjekje mbi 20 vjeçare. Kështu si dëshmimtar më duhet ta përmend se në Strategjine Ushtarake 2007, krahas forcës së bashkuar (Joint) u miratua edhe koncepti rezervë i tipit “Roster”, ku parashikoheshin që anëtarët e FA mbas daljes në rezervë të evidentohen në një (inventar elektronik) “database”.

Por kjo strategji, edhe pse e miratuar me ligj (në fakt me 140 vota) vetëm për shkak të mentalitetit bolshevik mbi kushtetutën, konceptin “Joint e mbytën pa lindur” ndërsa “Roster” nuk u zbatua asnjeherë si dhe nuk u bë ndonjë përpjekje serioze për t’i ngritur ato në sistem, ndërsa prej pothuaj 1 dekadë e gjysëm, struktura e FA nuk e përmendën fare komponentin rezervë.

Komponenti rezervë, kushtetuta dhe korniza logjore. Forca rezervë është e bazuar në kushtetutën e RSh ku në nenin 166 shprehet që “shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të marrin pjesë në mbrojtjen e R.Sh … ” Prandaj, më të drejtë parimi kryesor i këtij komponenti mbetet zhvillimi i një force rezervë të tipit vullnetar dhe jo të rekrutimit të detyrueshëm.

Por megjithë dëshirën Euro-Atlantike dhe të drejtën kushtetuese, komponenti rezervë, ashtu si ai aktiv, nuk mund të jetë aq “universal” sa për të pranuar çdo shtetas që e kërkon një “të drejtë” të tillë. Sigurisht, çdo shtetasi duhet ti respektohet e drejta kushtetuese të aplikojë, por bazuar në kritere profesionale dhe në nevojat konkrete të strukturave të FA, vetëm një pjese shumë e vogël të tyre mund t’u plotësohet kërkesa e pjesëmarrjes në forcën rezervë.

Një kuadër i ri ligjor. Është shumë e rëndësishme, që ngritja e komponentit rezervë të mbështetet me një kuadër ligjor të avancuar. Forca rezervë vullnetare ose bëhet ose nuk bëhet funksionale, ajo nuk bëhet përgjysmë. Kjo do të thotë që nëse po ndërtojmë një elitë profesioniste ushtarake aktive, duhet të ndërtojmë gjithashtu të tillë/elit edhe forcën rezervë vullnetare.

Çfarë force rezervë i duhet RSh? Forca rezervë mund të plotësohet kryesisht (por jo vetëm) nga kontingjentet e personelit të FA mbas mbarimit të shërbimit aktiv, duke nënëshkruar që në hyrjen në shërbimin profesionist për të vijuar shërbimin në rezervë deri 3 – 6 vjet.

Po ashtu, në forcën rezervë vullnetare mund të rekrutohen edhe kontingjentet e dëshiruara të shoqërisë civile, të cilat disponojnë kualitet të lartë specialitetesh që mund t’i nevojiten FA në periudha dhe operacione të caktuara.
Një parim tjetër themelor i komponentit rezervë mund të jetë që ai duhet të shihet si komponent operacional, i integruar i njësive ushtarake. Kjo do të thotë që forca rezervë, përvec rasteve të ralla, nuk duhet të jetë e organizuar mbi bazë njësish apo repartesh kompakte rezervë, përkundrazi, komponenti rezervë duhet të jetë i integruar së bashku me forcën profesioniste aktive, në një përqindje të caktuar që nuk pengon por e plotëson shkallën e gatishmërisë së pranuar të njësis për mision.

Bazuar në eksperiencat e vendeve të NATO-s, forca rezervë mund të shkojë deri 20 %. Por, nuk përjashtohet mundësia e ndërtimit me komponent dominues rezervë të kapaciteteve “niche” të FA, sidomos në emergjencat civile, si dhe në operacionet paqendërtuese ndërkombëtare.

Thënë këtë, besoj se është logjike se: “një prezencë më të madhe të komponentit rezervë në forcën tokësore, krahasuar me forcën detare dhe ajrore si dhe në specialitetet në elementët mbështetës të tipit “enabling”, se sa në forcat e luftimit.

Për ilustrim, mund të marrim një nga detyrat kryesore të misionit të FA: “sigurimi i hapësirës ajrore të RSh”. Përveç komponentit profesionist aktiv që mund të kemi në Forcën Ajrore, mund të rekrutojmë edhe komponent civil rezervë vullnetar nga Agjencia e Kontrollit të Hapësirës Ajrore të RSh, e cila ka ekspertizë dhe eksperience të spikatur, dhe vetëm me një trajnim në kohë të pjesshme mbi sistemin ushtarak dhe sistemin NATINADS të Aleancës, mund të jetë shumë i vlefshëm edhe për misionin e Forcave Ajrore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sistemin e vëzhgimit të Hapësirës Detare. Po kështu, mund ta zgjerojmë listën edhe me shfrytëzimin e kapaciteteve kombëtare kundër efekteve të ASHM, të kapaciteteve xheniere, të kapaciteteve për emergjencat civile, të luftës kundër terrorizmit, etj.

Si mund të trajnohet rezerva vullnetare? Sipas përvojës së vëndeve të Aleancës, forca rezervë vullnetare trajnohet rregullisht çdo vit dhe paguhen me rreth 80-100 përqind të pagës së forcave të rregullta aktive. Një variant i trajnimit të forcës rezervë mund të jetë 30-45 ditë trajnimi në vit.

Sa mund të jetë numri i forcës vullnetare rezervë të FASh ? Gjykoj që për rastin e RSh, pra një forcë profesioniste aktive prej me pak se 10 mijë vetë (pa perfshirë personelin e energjencave Civile), mund të vlerësohet zhvillimi i një force rezervë vullnetare prej mbi mijë vetë, pra rreth 20 % të forcës aktive.

Në shtesë, me duhet gjithësesi ta theksoj që përsa në disa dhjetra vlerësimet dhe rekomandimet strategjike, përfshi në këtë rast, nuk pretendoj kurrësesi të jenë: “të vërteta të fundit ose EUREKA” por një përpjekje modeste për të kontribuar me eksperiencën dhe ekspertizën Euro-Atlantike edhe për këtë projekt.

* Ekspert për SK, Rajonin & NATO,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut;
Anëtar i Bordit “Israel House; si dhe Ish: Këshilltar i Presidentit të R.Sh;
Përfaqësues Kombëtar në NATO.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb