Kukësi i ka shkuar shumë afër mrekullisë, por nuk ka mundur ta realizojë atë pavarësisht se tentoi deri në minutat e fundit.

Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu mposhti 2-0 Torpedo-n, por humbja 5-2 në ndeshjen e parë penalizoi skuadrën shqiptare.

Goli i parë i cili zhbllokoi takimin u realizua në minutën e 29-t. Sulmuesi Rexhinaldo pasi fitoi një 11-metërsh e goditi po vetë atë, duke e dërguar topin në fundin e rrjetës.

Kaq në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës skuadra gjeorgjiane mendoi vetëm për t’u mbrojtur. Gjithsesi verilindorët arritën të shënonin edhe golin e dytë, sërish me penallti po me të njëjtin autor, Rexhinaldon.

Për 15 minuta të kohës së rregullt dhe 5 shtesë, Kukësi kërkoi me të gjitha mënyrat golin e tretë, por pa arritur ta gjejë atë. Në këtë mënyrë përfundon edhe aventura e skuadrës së fundit shqiptare në Europë.

Kukësi 2-0 Torpedo Kutaisi

29′, 75′ Rexhinaldo/

Komenti i ndeshjes

90’+5′ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Kukësit, por që nuk mjafton për kualifikimin.

90′ Jepen 5 minuta shtesë.

89′ Provon edhe Maliqi nga jashtë zonës, portieri i miqve pret përsëri.

88′ Shpërdoron një rast ideal Harba i cili nuk gjuan dot në kuadrat, i ndalur me këmbë nga portieri i Torpedos.

81′ Mundësi e shkëlqyer e për Kukësin që të shënojë golin e tretë, Shkodra gjuan nga distanca dhe vetëm një devijim i portierit i mohon gëzimin e një goli historik.

75′ Rexhinaldo shënon goline dytë për Kukësin, sërish me penallti

73′ Shkodra i aktivizuar në vend të Dzaria kërkon dhe gjen hapësira në hyrje të zonës, por gjuajtja e tij me të djathtën është shumë e fortë dhe kalon lart mbi traversë.

65′ Maliqi nis një harkim të shkëlqyer në zonë, ku Dzaria gjuan fluturimthi, por nuk gjen kuadratin edhe pse pak hapa larg katërkëndorit.

63′ Kukësi ka zhvendosur plotësisht lojën në gjysmëfushën kundërshtare në kërkim të një tjetër goli. Por harkimet në qendër nuk konkretizohen me gjuajtje në kuadrat nga Harba dhe Rexhinaldo.

57′ Pasim interesant në qendër ku Rexhinaldo nuk tregohet i vëmendshëm dhe vetëm prek topin para portës kundërshtare duke mos arritur të rrezikojë katërkëndorin mik.

53′ Tjetër gol i anuluar për Torpedon. Topi përfundon në rrjetë pas një gjuajtje të Azatski, por gjyqtari sinjalizon faull në sulm.

52′ Shtylla shpëton portën e skuadrës së Kukësit pas një goditje me kokë të Laçnji i cili nga një pozicion i favorshëm godet shtyllën pingule në të majtë të Malokut.

49′ Uilliam provon me një gjuajtje të shpejtë me të djathtën në hyrje të zonës por topi ndalet nga portieri kundërshtar.

46′ Fillon pjesa e dytë pa ndryshime në radhët e dy skuadrave.

46′ Ka nisur pjesa e dytë

45’+2′ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Kukësit, verilindorëve u duhen edhe dy gola të tjerë për të arritur kualifikimin.

45’+2′ Aksion i gjatë i Kukësit pas një goditje nga këndi, por askush nuk arrin ët gjuajë në portë, ndonëse topi harkohet tre herë radhazi në zonë.

45′ Jepen 2 minuta shtesë.

44′ Harkim shumë i saktë i Rrumbullakut nga krahu i majtë, topi në zonë për Rexhinaldon i cili gjuan me kokë, por nuk gjen kuadratin e portës.

39′ Shënon Torpedo por Kukësi është me fat pasi Laçnji ishte në pozicion të parregullt dhe goli anulohet.

35′ Uilliam tregohet i vëmendshëm dhe mundohet të përfitojë nga një pasim mbrapa i mbrojtjes kundërshtare, por portieri i Torpedos arrin të largojë topin me vështirësi.

29′ Rexhinaldo nuk fal nga 11 metra, mozambikasi kalon Kukësin në avantazh

28′ Kukësi fiton një penallti pas një ndërhyrje të gabuar në zonë ndaj Rexhinaldos.

20′ Protesta të kuksianëve për një ndërhyrje të parregullt ndaj Maliqit i cili po shkonte drejt zonës, gjyqtari sinjalizon në mënyrë të gabuar rivënie fundore.

19′ Maloku shpëton katërkëndorin nga një pasim i rrezikshëm në qendër i Dolidze, pas një aksioni në krahun e djathtë të skuadrës mike,.

17′ Kukësi gjen vazhdimisht hapësira në krahun e majtë, ku luan Uilliam. Ky i fundit ka kohën edhe të godasë në portë me një diagonale por sfera kalon pasqyrën e portës pa u devijuar nga askush.

15′ Luhet praktikisht vetëm në gjysmëfushën e Torpedos, me Kukësin që po kërkon me çdo kusht një gol të shpejtë për të hapur ndeshjen. Harba shfaqet i vetëm para portierit dhe e kalon atë, por ndalet nga sinjalizimi për pozicion jashtë loje, në një moment shumë të diskutueshëm.

8′ Vjen shkëndija e parë drejt portës së Torpedos me një tentativë të Musollit pas një aksioni të gjatë të Kukësit. Goditja e mesfushorit jep iluzionin e golit, por topi prek rrjetën e jashtme.

5′ Një tjetër aksion interesant për Kukësin nga krahu i majtë, ku vepron Uilliam. Ky i fundit harkon në zonë por gardiani i Torpedo del dhe kontrollon topin para Rexhinaldos.

2′ Aksion me shumë kombinime i Kukësit në krahun e majtë, por aksioni përfundon me një harkim të lehtë në qendër ku portieri i ekipit gjeorgjian kontrollon pa probleme.

1′ Ka nisur takimi

Kukësi do të luajë në orën 19:00 ndeshjen e kthimit në “Europa League” për turin e tretë kundër Torpedo Kutaisit. Skuadra verilindore në stadiumin “Elbasan Arena” do të kërkojë të bëjë përmbysjen e madhe pasi në sfidën e parë në Gjeorgji është mundur 5-2.

Trajneri Cungu ka zgjedhur të bëjë disa ndryshime në fomacion nga ndeshja e kaluar. Shkodrani ka ulur në stol Arbër Çyrben, ndërsa nga minuta e parë do ta nisë Ethemi.

Ndërkohë në krahun e majtë të mbrojtjes do të rikthehet Maliqi, i cili mungoi në Gjeorgji.

KUKËSI-TORPEDO KUTAISI ORA 19:00

KUKËSI: Maloku, Shameti, Alla, Rumbullaku, Maliqi, Musolli, Kordeiro, Dzaria, Ethemi, Harba, Rexhinaldo.

Kutaisi: Kcaskhavadze, Khurtsilava, Tsinstsadze, Kukhianidze, Akatsiky, Kolidze, Kimadze, Marin, Hilinka, Kobakhidze, Lanci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb