Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Moratorium restaurimeve për pesë vjet! Forumi për mbrojtjen e Trashëgimisë ka bërë dje këtë propozim që pritet të ngrejë debat në këtë fushë në vendin tonë. Ndërsa Ministria e Kulturës ka arritur të gjejë fonde për të restauruar monumentet, së fundmi, problem kryesor mbetet pikërisht restaurimi: nuk bëhet si duhet! Rastet e publikuara në këtë lëmi janë disa: nga sinagoga e Sarandës, te kalatë e Butrintit, Hamami i Krujës, apo edhe kjo banesë në Dardhë – për të gjitha debati nga emra të njohur të trashëgimisë çon në një fjalë – i dëmshëm! Parë nga ky këndvështrim, edhe pse Ministria e Kulturës ia ka dalë të sigurojë fonde të konsiderueshme për të mirëmbajtur dhe ndërhyrë në objekte me rëndësi për kulturën kombëtare, duket se ajo nuk ka arritur të kanalizojë fondet në rrugën e duhur – atë rrugë që do t’u shërbente objekteve.

Forumi (një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë të bashkuar përtej bindjeve politike për të mbrojtur trashëgiminë kulturore), e ka kërkuar bllokimin e restaurimeve për një periudhë pesëvjeçare, pasi sipas Forumit ato po bëhen gjithnjë e më të dëmshme. “Po shkon puna për të vendosur një moratorium mbi restaurimet. Pesë vjet të ndalohen ato dhe të bëhen vetëm konsolidime, pasi nuk zotërohen as elementët më fillestarë të njohjes së restaurimit – i cili për hir të së vërtetës është shumë herë më i komplikuar nga ndërtimi. Instituti i Monumenteve, që po përjeton një bjerrje të fortë të komponentëve të tij teknikë (se për shkencë ka kohë që nuk bëhet fjalë), duhet shpërndarë deri në një riformulim të ri të tij me drejtim dhe kuadër të aftë. I rëndë mbetet fakti se asnjë reflektim nuk është bërë deri më sot në Ministrinë e Kulturës për këtë problem themelor. (Në foto: ndërhyrje të gabuara në trajtimin e fasadave të shtëpive monumentale në Dardhë të Korçës)”.

“GSH” ka kërkuar prej Forumit një sqarim më të hollësishëm sa u takon dëmeve që konstaton. “Në rastin e Korçës, pra të Dardhës, problem është mbulimi i fugaturave duke përdorur çimento – e para, nuk është karakteristikë e zonës, pasi zona e Korçës fugatimet i bën me ngjyrë më të hapur, dhe e dyta, nuk mund të përdoret çimento, sepse ajo tërheq lagështirë”. “Restaurimi është një shkencë multidisiplinore, duke filluar nga diagnostikimi, te respektimi i kontekstit kulturor të vetë monumentit. ICROM dhe ICOMOS kanë rregulla strikte dhe të qarta se si bëhen restaurimet e monumenteve, vlera e arkitekturës së kohës është specifike, pasi i përket një epoke apo periudhe të caktuar që ka pasur rregullat e saja.

Karakteristikat e strukturave të trashëgimisë, me historinë e tyre komplekse, kërkojnë organizimin e studimeve dhe propozimeve në hapat e saktë që janë të ngjashëm me ata të përdorur në mjekësi. Pjesa studimore është shumë e rëndësishme për të evidentuar shkaqet dhe arsyet e dëmtimit si dhe mënyrën e ndërhyrjes”, thotë Forumi për “GSH”. Ai shton se “për këtë arsye është shumë e rëndësishme kronologjia e ndërhyrjeve në monument, duke theksuar dhe evidentuar specifikisht fazat historike të ndërhyrjes. Për shembull, në kala gjatë restaurimit duhet ndërhyrë sipas periudhës; periudha veneciane është ndryshe nga ajo otomane, apo shek. 19 ose shek. 20. Ndërhyrjet që janë bërë këto vitet e fundit po dëmtojnë rëndë kronologjinë e monumenteve, duke fshirë një herë e përgjithmonë fazat historike të objekteve. Po kështu, shumë të rëndësishme janë materialet. Nuk mund të përdorësh materiale moderne, gëlqere të blerë në dyqane e të pastazhionuar”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: