Aksidenti i shkaktuar një ditë më parë në rrugën e Kavajës në Tiranë, ku 39-vjeçari nën efektin e drogës, duke drejtuar me shpejtësi mjetin e tij luksoz përplasi në vizat e bardha çiftin e bashkëshortëve Konomi dhe foshnjën e tyre tre muaj, ka tronditur opinionin publik, ndërsa është kthyer në një këmbanë alarmi për policinë rrugore.

Ditën e sotme është mësuar se foshnja ka lënë spitalin dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa prindërit e tij, Arjani dhe Nevila, kanë dalë nga kujdesi intensiv dhe po mjekohen në pavion, por në gjendje të qëndrueshme.

E ndërsa ky aksident i frikshëm tërhoqi vëmendjen e qytetarëve duke shtuar pasigurinë në rrugë, policia kashtuar nga ana tjetër ka shtuar masat e kontrolleve, me patrulla të shumta në pika kyçe aksesh në të gjithë vendin, si dhe me nxjerrjen edhe një herë në veprim të “makinës inteligjente”.

“Makina inteligjente, pas kolaudimit në Gjermani, hyn sërish në veprim, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, përdorin aparatin celular apo nuk vendosin rripin e sigurimit, gjatë drejtimit të mjetit”, njoftoi policia.

Sakaq, sa i takon shoferit, Ajas Sulejmani, policia i ka vendosur një masë administrative prej 1 milionë lekë të vjetrash si dhe pezullim patente për 2 vite.

  • foto galeri

Kujtojmë se ai u arrestua disa orë pasi shkaktoi aksidentin e rëndë, e pas kryerjes së testit të drogës rezultoi se kishte konsumuar lëndë narkotike, me gjasë pak para ngjarjes.

Para efektivëve të policisë ai ka deklaruar se arsyeja pse u largua nga vendi i ngjarjes ishte për shkak se në makinë kishte një fëmijë të vogël, i cili është lënduar po ashtu. Por nga dëshmitë e qytetarëve që u ndodhën në vendngjarje është pohuar se ai është larguar i vetëm në këmbë.

Por kjo nuk ishte hera e parë që efektivët e patrullës rrugore “përballeshin” me Sulejmanin, pasi ky i fundit ishte gjobitur deri më sot plot 8 herë, për shkelje të kodin rrugor.

Jo më larg se tre javë më parë, ai ishte shoqëruar edhe në komisariatin e policisë, ndërsa mjeti i tij luksoz që sot vuri në rrezik për jetën familjen me tre anëtarë, ishte bllokuar nga policia.

“Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit. Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit. Po ky shtetas është shoqëror tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor”, njoftoi policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb