Një dron u rrëzua sot në oborrin e një banese në Mitrovicë, duke alarmuar kështu autoritetet. Siç shihet dhe në foton që publikoi Express, droni përfundoi në një banesë. Ndërkohë sipas dëshmitarëve ai u mor nga forcat e policisë.

“Krahët i ka pas tri metra, 3.5 dhe një metër ka qenë gati i gjerë. Bënte një zhurma, ndërsa kishte edhe kamera. Bënte një zhurmë sikur donte të nisej, por e kemi kapur dhe ja kemi hequr baterinë edhe u ndal”, tha dëshmitari. Ndërkohë i kontaktuar nga mediat, kryetari i komunës, Bedri Hamza ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion. “Nuk e di. Pyesni Policinë. Ata janë përgjegjës”, ka thënë Hamza. Por pas shumë pikëpyetjeve se kujt i përkiste droni, përgjigja ka ardhur nga KFOR, i cili ka konfirmuar se mjeti flutureus i përkiste atyre.

“KFOR konfirmon se një nga dronët e tij ra në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është tërhequr nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas rënies së tij”, thuhet në njoftimin e KFOR. KFOR tha se droni po kryente një mision rutinë monitorimi në kuadër të aktiviteteve të KFOR-it që kanë për synim krijimin e një mjedis të sigurt. “KFOR-i dëshiron të falënderojë popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin; dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe për të mos krijuar shqetësime të shkaktuar nga incidenti”, thuhet më tej në reagim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: