TIRANE- Të arrestuarit si autorë të dyshuar për grabitjen e parave të bankës së nivelit të dytë në Qafë Kashar të enjten e kaluar, kanë dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.
I pari ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës Fation Xhyliu, ish-punonjës i policisë private, rreth orës 11:00 të paradites së sotme.

Xhyliu, i cili besohet se ka dekonspiruar grupin e grabitësve, është edhe personi i parë i arrestuar për grabitjen e parave të bankës. Teksa e ka cilësuar të ligjshëm ndalimin e Xhyliut, Gjykata e Tiranës ka dhënë ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Megjithatë Xhyliu, ka mbajtur qëndrim pohues edhe përpara gjykatës, duke mos kundërshtuar në asnjë moment provat dhe akuzat e prokurorisë. Ndërkohë që kjo e fundit i është referuar më tepër provave dhe fakteve që kanë të bëjnë më së shumti me grabitjen e dhjetorit të vitit 2015, ku Xhyliu ka patur rolin e informatorit, pasi ishte pjesë e policisë private, që kishte marrë përsipër transportin e vlerave monetare.

Ndonëse vetë Xhyliu u shpreh i penduar në sallën e gjyqit, duke pranuar grabitjen, por ende nuk dihet nëse ai e ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa avokati i tij mbrojtës akuzoi prokurorinë se ka shkelur të drejtat e klientit të tij.

Më pas Gjykata ka dhënë të njëjtën masë sigurie edhe për Ditjon Memlikën, ish-efektiv i Forcave të Armatosura.

Sipas prokurorisë, të dy të akuzuarit në fjalë janë të dyshuar edhe për grabitjen e para disa ditëve në rrugën e Rinasit.

Qëndrim pohues ndaj akuzave ka mbajtur edhe ish-efektivi i FA-së, Ditjon Memlika, i cili gjithashtu nuk ka kundërshtuar faktet e paraqitura nga prokuroria. Ndërkohë, dy të arrestuarit e tjerë për grabitjet, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa pritet të dalin përpara gjykatës ditën e enjte.

Kater-Grabitesit12

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb