Xhani De Biazi do të mbetet gjithmonë unik në historinë e futbollit shqiptar dhe në atë të Kombëtares kuqezi. Por siç tha edhe vetë trajneri gjatë lamtumirës së tij, çdo fillim e ka një fund.
Ky fund është “zyrtarizuar” sot nga Federata Shqiptare e Futbollit e cila ka filluar të bëjë ndryshimet përkatëse në faqen e saj të internetit apo në rrjetet sociale për të larguar gjurmët e ish-trajnerit dhe për të filluar “epokën Panuçi”.
Gjatë ditës së sotme, është hequr fillimisht nga adresa zyrtare në Facebook fotoja e madhe ku De Biazi ishte bashkë me skuadrën.
Ajo është zëvendësuar me një të kombëtares para fillimit të një ndeshjeje.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në faqen zyrtare të internetit të institucionit.
Ndërkohë, në brendësi kanë ndryshuar edhe emrat e pjesëtarëve së stafit të kuqezinjve. Emrat e De Biazit, Veroneze dhe Bele janë zëvendësuar nga ato të Panuçit, Rodolfit dhe Çiulinit, ndërsa është shtuar edhe pozicioni i video-analistit, ku është vënë emri Marko Rosi.
Sa i përket pjesës tjetër të stafit, duket se Panuçi do të “trashëgojë” zëvendëstrajnerin Bulku, përgatitësin e portierëve Bozhiqi, doktorin Stesina, osteopatin Iori, fiziotrapistin Mihali, masazhatorin Voci dhe përgjegjësin e bazës materiale, Kademi. /PanoramaSport/