Ky është Selim Çekaj, babai i Arbër Çekaj i akuzuar për trafikimin e 49 kg kokainë, e gjetur në një kontejner me banane të porositur nga Ekuadori. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanWeb” foton e 72-vjeçarit, i cili me gjithë problemet e të birit kishte hapur sërish një kompani, me anë të së cilës me sa duket kryente dhe trafik kokaine.

Me anë të kësaj kompanie që ndodhet në Maminas, Çekaj kishte porositur dhe ngarkesën me banane që vinte nga Ekuadori. Droga u gjet e fshehur në dy krahët e kontejnerit, e ndarë në pako me nga 1.3 kg secila.
Kontejneri mbërriti 2-3 ditë më parë në Durrës, ndërsa kaloi në skaner dhe në kontrollet e qenit antidrogë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Pas këtyre procedurave, u vu re se brenda tij kishte diçka të dyshimte dhe pas kontrolleve të imtësishme u zbulua sasia e drogës. Administratori i firmës që kishte porositur mallin, në këtë rast Selim Çekaj është thirrur nga policia për të bërë verifikimet sipas procedurës. Mësohet se 72-vjeçari nuk ka pranuar që të hapë kontejnerin, pa u çuar në magazinë pasi brenda kishte fruta që merrte nga Ekuadori. Kjo çoi në dyshime të forta nga ana e policisë se aty fshihej diçka e paligjshme. Ndaj edhe policia bëri ndërhyrjen në port, ku u gjetën 37 pako me drogë.
Kujtojmë se Arbër Çekaj, u shpall në kërkim pas zbulimit të një sasie të madhe droge në Portin e Durrësit, ku u sekuestruan 613 kokainë që vinte nga Ekuadori, brenda një kontejneri me banane. Disa muaj më vonë, Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 maj të 2018-ës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: