Një trup i pajetë është gjetur mëngjesin e sotëm në fshatin Grapsh të Devollit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 10 e 20 minuta, ndërsa trupi është gjetur nga banoret e zonës në përroin e këtij fshati.

Nga të dhëna të siguruara nga policia mësohet se ky shtetas është një emigrant i paligjshëm ndërsa nga këqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune çka çon në dyshime se ky shtetas mund të ketë gjetur vdekjen për shkaqe aksidentale.

  • foto galeri
  • foto galeri

Trupi i pajetë është dërguar në morg, ku pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes ndërsa grupi hetimor, po punon për të identifikuar viktimën si dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Kryeplaku i fshatit së bashku me banorët e zonës të cilët gjetën trupin e pajetë mëngjesin e kësaj të hëne thonë se prej ditësh ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga policia e kufirit pas denoncimit që kishin bërë grupi i emigrantëve të paligjshëm për humbjen e të afërmit të tyre.

Juglindja e vendit prej ditësh është përfshirë nga reshje intensive të shiut dhe kjo ngjarje dyshohet se mund të ketë ndodhur aksidentalisht në tentativë nga ky shtetas për të kaluar përroin e fshatit.

Fshati Grapsh sipas banorëve përdoret nga emigrantët e vendeve në konflikt si urë kalimi ashtu si shumë fshatra të tjerë të bashkisë Devoll.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb