KOSOVA

Kryetari i LDK, Isa Mustafa pas thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të shtyrë mocionin e mosbesimit ka reaguar duke u shprehur se këtë rrugë ka zgjedhur pikërisht vetë Albin Kurti.

Mustafa shprehet se LDK është e vetëdijshme për situatën me koronavirusin dhe ka bërë të gjitha përpjekjet për bashkëpunim me anëtarin tjetër të koalicionit qeverisës por nuk ja ka dalë.

Me këtë përgjigje duket se Mustafa nuk do e marrë parasysh thirrjen e dy fuqive botërore dhe sot duke bashkuar edhe votat me opozitën do rrëzojnë me të gjitha gjasat qeverinë Kurti.

 

STATUSI I ISA MUSTAFËS

Bashkëpunimi me Gjermaninë dhe Francën sikurse edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian është me rëndësi themelore për LDK-në dhe për Kosovën. Kosova ka gëzuar përherë përkrahje të fuqishme të këtyre vendeve. Prandaj edhe e mirëkuptojmë brengën e tyre për situatën aktuale në Kosovë.

LDK ka bërë të gjitha përpjekjet ta bindim partnerin tonë të koalicionit për bashkëpunim me mirëkuptim por nuk kemi arritur. Në vend të kësaj ka bërë vazhdimisht veprime të njëanshme dhe për LDK-në të dëmshme.
Jemi të vetëdijshëm edhe për këtë situatë të Coronavirusit, por këtë e ka zgjedhur dhe e ka shkaktuar z. Kurti dhe jo LDK-ja në asnjë rast dhe me asnjë veprim.

Ministrat tanë do të bëjnë punën për aq sa u krijon hapësirë z.Kurti që ta përballojmë luftën me këtë virus.
Mocioni është një instrument demokratik. Ai tani, sipas Kushtetutës është në të drejtën e deputetëve që e kanë nënshkruar jo vetëm e atyre të LDK-së.
LDK siguron se mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me vendet e BE-së, si anëtare e familjes së PPE, për proceset e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, dialogut si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor. IM

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb