“Vendlindja e vëllezërve Abdyl Frashëri, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, simbol i identitetit kombëtar shqiptar, po përballet prej vitesh me harresë institucionale, mungesë investimesh dhe degradim të trashëgimisë kulturore”, kështu shprehet Agron Gjekmarkaj në një analizë në Faebook, duke iu përgjigjej kryeministrit Edi Rama.
Gjekmarkaj thekson se, ndërsa qeveria shqiptare përdor shpesh retorikën e “Rilindjes” dhe referenca solemne ndaj figurave historike, realiteti në Frashër paraqitet krejt ndryshe.
Në tekstin kritik të Gjekmarkaj ndaj qeverisë theksohet ironia që një forcë politike që përdor emrin “Rilindje” ka lënë në harresë pikërisht vendin që lindi rilindësit shqiptarë.
Reagimi i plotë;
“Rilindja” që harroi djepin e Rilindjes Kombëtare.
Nuk do të ishte paradoksale që Kryeministri të flasë me solemnitet për Naim Frashërin, për “Diellin që lind andej nga perëndon”, për Europën dhe trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare, nëse vetë Frashëri, vendlindja e Abdyl Frashërit, Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, të mos lihej në harresë të plotë. Por ja që është lënë! Madje do të guxoja të shkoja pak më përtej: nëse gjysma e qeverisë së tij do të ishte pretendim mujshar t’u kenë lexuar ndoca nga veprat! Por është!
Vërtet ashtu duhej të ndihej thënia e Naimit, busull “nga perëndimi”, por sjellja politike na thotë se dielli në Shqipëri “lind nga lindja”, paçka se e mllaçisim si çamçakëz fjalën Europë, që mideja e namuzi na e lyp si “Avrup”!“Sevap me rrejtë kaurrin”, thonin ushtarët e Haxhiqamilit në vitin e mbrapshtë 1914; me gjasë, me këtë parim i bëjmë negociatat me Brukselin!
Jo vetëm që nuk mjaftojnë statuset poetike në Facebook dhe fjalët e bukura për “Shqipëribërësin” e madh, kur rruga drejt Frashërit është në gjendje skandaloze, kur vizitorët përballen me një infrastrukturë që kërkon mushka tahmaqare që të ngjitesh, mungesë investimesh dhe një indiferencë të pafalshme shtetërore, bijë e injorancës kësaj jallaneje që na përkëdhel si fllad mpirës, por të nxjerr keq si qeveri, si shoqëri, si shtet. Ngjan sikur nuk i meritojmë eterit e medhenj !
Nuk mund të flitet për respekt ndaj historisë, kur Muzeu i Vëllezërve Frashëri, një simbol kombëtar, ngjan me një magazinë të harruar periferie, ku minjtë lodrojnë si “rilindas” bashkëkohorë!
Qeveria flet për Europën, por Europa fillon nga memoria dhe vetëdija kombëtare, që e kërkonte kontinentin mëmë bash atëherë kur ishim pjesë në perandorinë e së keqes! Nuk mund të pretendosh integrim europian duke shpopulluar e lënë në errësirë vendin që i dha Shqipërisë mendjen, shpirtin dhe vetëdijen kombëtare.
Frashëri nuk është thjesht një fshat; është një tempull, plot me shtylla “dorike” mbi të cilat mbahet ideologjia kombëtare dhe identiteti shqiptar. Është vendi ku mori jetë ideja e Shqipërisë, “duke rendur si i marri” për t’u ngjallur së vdekuri si komb, si ind, si gjuhë! Aty gjendet një “urë” e madhe e kalimit nga primitivizimi në modernitet!
Është turp pa shoq që pas kaq vitesh pushtet, “Rilindja” e tallavasë politike të ketë harruar pikërisht djepin e Rilindjes Kombëtare. Ironia është therëse: ata që përdorin emrin “Rilindje” në politikë, kanë lënë në rrënim vendin që lindi rilindësit e vërtetë të kombit.
Në çdo vend normal europian, vendlindja e figurave themeluese të kombit do të ishte krenari shtetërore, destinacion kulturor, muze model dhe qendër pelegrinazhi kombëtar. Ndërsa në Frashër, harresa ka zënë vendin e respektit dhe propaganda vendin e punës konkrete.
Nuk ka nevojë Shqipëria për më shumë deklarata pompoze për Naimin. Ka nevojë për rrugë dinjitoze drejt Frashërit, për restaurim të muzeut, për investime reale, për mbrojtje të trashëgimisë dhe për respekt të vërtetë ndaj historisë.
Sepse kombet nuk i nderojnë rilindësit me fjalë. I nderojnë me vepra. Siç thoshte Abdyl Frashëri:“Shqipëria mbi të gjitha.”Por sot duket sikur mbi gjithçka është propaganda dhe jo memoria kombëtare.
Sami Frashëri ne menyre lapide la amanetin :“Një komb që humbet gjuhën dhe kujtesën, humbet vetveten.”Ndërsa ne sillemi sikur identiteti kombëtar është dekor elektoral dhe jo themel shteti.
E Naim Frashëri, ai që e pa Shqipërinë me sytë e shpirtit europian, na la amanet:“Dielli lind andej nga perëndon.” Por Qeveria shqiptare shpesh sillet sikur drita duhet kërkuar gjetkë, larg qytetërimit, larg kulturës dhe larg vetë idealit europian që rilindësit ëndërruan për këtë vend. Me fjalë është europian edhe Kryeministri edhe qeveria por vetem me fjale , e cila po desemantizohet ngaqe e verteta i mban te lidhur me atë botë prej seciles Naimi jetoi e punoi ti largonte shqiptaret e tij !
