Gjykata e Tiranës ka refuzuar të ekstradojë shtetasin egjiptian, Mohamed Khairy Mohamed Amer Rageh.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, e cila thekson se Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të egjiptianit.

Shkak për këtë vendim të gjykatës shqiptare është bërë fakti se drejtësia egjiptiane nuk ka sjellë garanci që ky shtetas nuk do të dënohej me vdekje, në rast ekstradimi.

Gazetarja Lala sjell në redaksinë e “BalkanWeb” pamje nga brenda sallës së gjyqit, ndërsa thekson se shtetasi egjiptian ka katër emra.

  • foto galeri

Sipas informacioneve, Rageh në nëntorin e vitit 2019 ka vrarë me armë zjarri shtetasin egjiptian M. A., në Giza të Egjiptit, dhe më pas ka marrë automjetin e viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas ngjarjes së rëndë, ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza”, në maj të këtij viti, teksa tentonte të hynte si turist, ndonëse në vendin e tij konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë.

 

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb