DURRES- Dy persona janë vënë në pranga ditën e djeshme nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit, pasi kanë tentuar të kalojnë drejt Italisë 3.2 kg kanabis. Lënda narkotike ishte fshehur në një kamion të ngarkuar me arka plastike boshe.

Pas dyshimeve, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve ushtruan kontroll në mjetin kamion tip “Scania” me drejtues shtetasin Gentian Jakupi dhe pasagjer shtetasin Kundret Hasanbashaj.

Nga kontrolli u ushtruar, u zbuluar se në brendësi të tij kishte lëndë narkotike, e cila u kalua më pas në skanër për verifikim më të hollësishëm.

Në përfundim u konkludua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Pas sekuestrimit të lëndës narkotike, policia vuri në pranga dy shtetasit Gentian Jakupi 37 vjeç, drejtuesi i mjetit, dhe Kundret Hasanbashaj, 32 vjeç, të dy banues në Fier.

“Kamioni ishte i ngarkuar me arka plastike, bosh. Lënda narkotike ishte e futur poshtë sediles së shoferit ku pas peshimit rezultoi në total 3.2 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.

Sakaq, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb