Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar shtetasin Nik Lami në zonën e Pultit në Dukagjin. Ky shtetas ishte i dënuar në mungesë me 6 vite burg që në vitin 2017 nga gjykata e Apelit të Shkodrës për kultivim të bimëve narkotike por prej asaj kohe ka qenë në kërkim policor.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se pas informacioneve në rrugë operative 46 vjeçari që cilësohej si problematik nga policia për shkak të të kaluarës së tij në orët e para të mëngjesit të Shkodrës është vënë në pranga. Në vendin ku u arrestua në një fshat të njësisë Pult të Dukagjinit 46 vjeçarit iu gjetën edhe tri armë, ndërsa policia ka dyshime se shtetasi Nikë Lami po përgatitej sërish për kultivim të bimëve narkotike, ndërsa dyshohet se edhe gjatë viteve kur ishte në kërkim nga efektivët ka ushtruar këtë aktivitet të paligjshëm.

Tashmë pas arrestimit të tij, Nikë Lami do të dërgohet në burg për të shlyer dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit në Shkodër, ndërsa mbi të do të rëndojë edhe vepra penale e “armëmbajtjes pa leje”.

Njoftimi: 

Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për goditjen e paligjshmërive dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë finalizuan operacionin e koduar “Double”.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas mbante pa leje, në banesë, disa armë, është finalizuar operacioni, gjatë të cilit është arrestuar në flagrancë shtetasi N. L., 46 vjeç, banues në fshatin Xhan.

Nga kontrollet në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri, 2 armë gjahu, 5 radio marrëse-dhënëse, një palë dylbi dhe një sasi municioni luftarak, sende që posedoheshin në mënyrë të kundërligjshme. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për vepren penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë viteve të fundit, ka kultivuar bimë narkotike, në fshatrat Pult, Xhan dhe Alavana.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb