Prestige po zhvillon vërtetë një sezon të shkëlqyer në Sunday League Albania, duke regjistruar fitore të njëpasnjëshme në Grupin A.

Mbrëmjen e djeshme erdhi edhe suksesi i shtatë në po kaq ndeshje të luajtura, teksa Prestige kaloi me rezultatin 3-0 ekipin CCBS.

Një ndeshje pa shumë histori, me Prestige që komandoi gjatë të gjithë kohës. Shini, Shima dhe Branica ishin autorët e golave në këtë sukses të Prestige.

Për sa i përket ndeshjes, Prestige arriti që t’i zhbllokojë shifrat që në start, teksa në të 3-ën, Shini finalizoi mjaft mirë pas një asisti të Vashës, duke kaluar Prestige në avantazh.

Më tej Shima provoi me një goditje të fortë, por grushtoi portieri i CCBS, Mahmuti.

Rreziku i parë nga skuadra CCBS do të vinte me Hasankollin, por portieri i Prestige, Dashnor Cara, u tregua në lartësinë e duhur.

Më tej provoi Ademi me një devijim me kokë, pas një gjuajte të Nuzës, por pa mundur që të gjente kuadratin. Hasanaj iu afrua golit për ekipin CCBS pas një goditjeje ballore standarde, me topin që shkoi shumë pranë trekëndëshit në të 14-ën.

Ndërsa në aksionin pasardhës, Shini i ishte i pafat për Prestige pasi topi i goditur prej e tij u ndal nga traversa.

Rastet e Prestige vijojnë me Vashën, i cili nuk gjen portën pas një gjuajtje më kokë gjatë një këndoreje në të 19-ën.

Goli i dytë do të vinte në të 24-ën, falë një kombinimi të bukur, me Rapon që vertikalizoi mjaft mirë për Shimën, ndërsa kapiteni me qetësi e dërgoi topin në cepin e portës pa i dhënë asnjë shans portierit.

Në fundin e pjesës së parë, Vasha realizoi golin e tretë për Prestige, por për anësorin kishim të bënim me një pozicion jashtë loje.

Në fraksionin e dytë, Prestige e menaxhoi më së miri takimin, duke krijuar disa mundësi shënimi.

Xhika, i sapofutur në lojë, nuk arriti që të realizonte i vetëm me portierin në të 47-ën.

Një minutë më vonë ekipi CCBS mbetei në inferioritet numerik, teksa Hylli ndaloi një top me dorë në zonë, për t’u ndëshkuar me të kuq dhe me penallti nga gjyqtari.

Nga pika e bardhë goditi saktë Branica, duke i dërguar shifrat në 3-0.

Pr 12
Pr 12

Prestige vijoi sulmet deri në fund, duke krijuar disa raste, ndërsa do të realizonte edhe dy gola të tjera, fillimisht me Shinin e më pas me Xhikën, të cilët u anuluan mes protestave për pozicione jashtë loje, duke e dërguar në 3 numrin e golave të pavlefshëm për Prestige në këtë përballje.

Kështu gjithçka mbyllet 3-0 në favor të Prestige, që i konsolidon edhe më tepër pozitat në kuotën e 21 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e parë në Grupin A.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb