TIRANË- “Policia e harruar e burgjeve” ka qenë sonte tema që është diskutuar në emisionin e së hënës në News24 të gazetares Ola Bruko “Njerëz në fokus”. Duket se ankesat e shumta të efektivëve të policisë së burgjeve kanë bërë që emisioni të trajtojë pikërisht këtë temë shumë të ndjeshme për mijëra punonjës.

Në emision ka ardhur dëshmia e një prej gardianeve e cila kërkon që pagat e policisë së burgjeve të barazohen me ato të Policisë së Shtetit. Gruaja e cila nuk identifikohet rrëfen jo pak e prekur se pavarësisht vështirësisë paguhet me 370 mijë lekë të vjetra dhe për më tepër të gjithë punonjësit i blejnë vetë uniformat.

“Paga ime është 370 mijë lekë të vjetra. Kemi që në vitin 2005 që nuk marrim uniforma dhe e blejmë më lekët tona. Nuk ka asnjë shpërblim financiar për ta kompensuar. Stemat dhe gradat i blejmë, është turp. Policia e Shtetit i ka ndërruar 3 herë uniformat. Ka një trajtim të parabartë. Përderisa jemi një shtet dhe një polici, si trajtimi financiar si uniformat të jenë të barabarta. Kam kolegë që bëjnë kimioterapi me lekët e tyre. Unë paguaj sigurime, pse? Unë jam e depolitizuar. Nuk më intereson asnjë parti. Mos të ketë një diskriminim të tillë për policinë e burgjeve”, apeloi punonjësja e policisë.

Rrëfimi dhe apeli i saj është diskutuar në studio nga të ftuarit: Femi Sufa nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve; Sotiraq Nushi ndihmëskomisioner i Avokatit të Populli; Valentin Macaj, kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve dhe gazetarja Klodiana Lala.

Nga ana e tij, zyrtari i Drejtorisë së Burgjeve, Femi Sufa aprovoi ankesat e punonjëses dhe tha se është propozuar një rritje rroge e bazuar në rrogat e policisë së Shtetit të vitit 2014 që sërish është 30% më e ulët se paga aktuale e policisë.

“Nuk i heq asgjë punonjëses së Policisë së Burgjeve. Ajo tha një realitet. Motivimi shihet në kushtet e sigurisë dhe motivimi i brendshëm, se si ngrihet karriera etj. Ne kemi propozuar rritje page”, deklaroi Sufa.

Nga ana tjetër gazetarja Bruko tha se nga Ministria e Financave ka shkuar propozimi për një rritje me 7% të pagave të punonjësve të policisë së burgjeve.
Kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj tha se ajo që po bëhet me pagat e policëve “është një diskriminim i hapur”.

Ndërkohë, Sotiraq Nushi tha se buxheti për rrogat e policëve në burgje duhet të shtohet.

“Buxheti për rrogat e policëve në burgje dhe për ushqimet duhet të shtohet. Ne rekomandojmë që të merren masat dhe për lejet vjetore dhe të kompensohen. Të merren masa për dhënien e ushqimit dhe të uniformave si dhe të njehsohen pagat me Policinë e Shtetit. Ne iu drejtuam edhe kryeministrit i cili iu drejtua ministrive përkatëse”-tha ai.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Femi Sufa i cili u shpreh se: Ekziston një paketë financiare dhe pritet të kalohet. Kjo nuk varet nga Drejtoria e Përgjithshëm e Burgjeve pasi është detyrë e shtetit të rrisë buxhetin, jo e jona.

Gjatë emisionit, gazetarja Klodiana Lala tha se policët e burgjeve janë të pambrojtur dhe të lënë në mëshirë të fatit.

“Kujtoj një rast kur një punonjës i burgut gjeti vdekjen nga një aksident, pasi kishte qenë gjatë gjithë natës në punë dhe për këtë nuk u kujtua asnjë nga instancat shtetërore. Ka punonjës police që nuk kanë mundësi për kambalet apo se kanë fëmijë të sëmurë, pavarësisht se shteti u merr sigurimet. Punonjësi i burgut nuk trajtohet mirë dhe janë të lënë në mëshirë të fatit. Ata janë të pambrojtur dhe nuk mund të ngrenë zërin për shkak të mënyrës se si politika ka ndërtuar këtë, pasi sepse mund t’i transferojnë”- tha Lala.

Sa i përket sëmundjeve dhe nëse policët e burgjeve rimbursohen për ilaçet, kreu i sindikatës së policisë së burgjeve, Valentin Macaj tha se: “Ne kemi disa raste ku disa punonjës kanë lënë edhe punën për shkak të sëmundjeve të ndryshme si dhe nga ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe i blejnë vetë ilaçet pasi nuk rimbursohen nga shteti”.

Nga ana tjetër Femi Sufa, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve tha se: “Ky është fond i veçantë që quhet 5% dhe e miraton Ministria e Financave. Ai është hartuar si draft dhe do trajtohet në Parlament.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb