Gazetari Ergys Gjençaj, i ftuar në studion e News 24, komentoi procesin e rinumërimit.

Ai tha se Ceno Klosi ka qenë kampion në lëvizshmërinë e votave nga data e zgjedhjeve më 11 maj e më pas në rinumërim. Gjeçaj bëri thirrje për një hetim kryesisht nga SPAK për rastin e tij, por edhe për raste të ngjashme, ku diferenca në lëvizshmëri votash ka qenë e madhe.

“Rinumërimi i votave në Tiranë u pa se kishte lëvizje votash. Lëvizje më të mëdha të votave kishte në qarkun e Fierit. Më shumë lëvizje kishte tek kandidatët dhe kampion i lëvizjeve të votave ishte Ceno Klosi i PS me mbi 800 vota. Tek orientimi i numëruesve ndoshta kemi shkelje ligjore, lexohet gabim vota e qytetarëve. Ka palestra që janë të mëdha, por ka dhe vende me palestra të vogla, ku ka amulli. Anëtarët e grupeve të numërimit, janë të sofistikuar dhe mund të kemi edhe vota të orientuara. Hetimi duhet të nisë mbi atë që prodhoi procesi i rinumërimit. Pas rinumërimit, duhet të nisë një hetim. SPAK mund të nisë një hetim edhe kryesisht, qoftë edhe nga raportimet mediatike. Të dhënat nga procesi i rinumërimit tregon se diçka nuk është normale. Tek Tirana mund të themi se kishte edhe gabime njerëzore. Por në Fier, rasti i Ceno Klosit, por edhe një tjetër kandidate, pamë se ishin mbi 600 vota të lexuara gabim, që nuk janë pak, prandaj duhet hetim. Dhurimi i një mandati të fituar siç ndodhi në Fier, nuk e di çfarë të them. Maldrita Bardho duhet të respektonte qytetarët që e kanë votuar, duke e marrë mandatin. Ka pasur reagime edhe nga vetë votuesit socialistë, këto janë çorba që gatuhen brenda familjes, se është pak e kripur”, tha Gjençaj.

Duke folur për legjislaturën e parlamentit, që e lamë pas, Gjençaj u shpreh se ka qenë tepër me tensione, duke shtuar se shpreson që legjislatura e ardhshme të jetë më e qetë dhe deputetët të jenë më etikë. ֛

“Ka mbetur Tirana, Elbasani, Fieri dhe Durrësi që të certifikohen si rezultat. Pas rinumërimit, KAS do nisë shqyrtimin e ankesave. Mund të ketë sërish ankesë për rinumërim votash. Më 25 korrik besoj mund të marrë fund saga e zgjedhjeve. Dje ishte seanca e fundit parlamentare dhe u mbyll legjislatura e dhjetë. Legjislatura do mbahet mend për tensionet e mëdha. Ka pasur zjarrvënie brenda dhe jashtë Kuvendit e këto akte nuk i bëjnë nder parlamentit. Të bësh replika është normale, e të shpresojmë që në legjislaturën tjetër të ketë tjetër qasje, ndoshta nga PS. PS pra mund të jetë më tolerante, duke qenë se ka fituar 83 mandate”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb